Terrorizmi dhe korrupsioni, Lalla diskuton me homologun e SHBA-së

Prokurori i Përgjithshëm, Adriatik Llalla, është takuar gjatë ditës së sotme me homologun e tij amerikan, Eric Holder, në zyrën e tij në Washington, ku është diskutuar mbi çështje që përbëjnë interes hetimor për dy vendet.Gjatë diskutimit Llalla i ka prezantuar punën e kryer nga institucionet shqiptare për goditjen e personave që merren me rekrutimit të shtetasve shqiptarë dhe ballkanike për përfshirjen në konflikte të armatosura jashtë Europës.Gjithashtu, Llalla i ka shpjeguar homologut, Holder, edhe angazhimin e prokurorisë shqiptare për të forcuar koordinimin e strukturave hetimore rajonale në hartimin e strategjive të përbashkëta në parandalimin dhe goditjen e kësaj problematike, e cila ka shtrirje në vende të ndryshme europiane.Në deklaratën për shtyp thuhet së Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shprehur vlerësimin e tyre për rezultatet konkrete të autoriteteve shqiptare në goditjen e personave që merren me financimin dhe rekrutimin e shtetasve të ndryshëm për konflikte të armatosura në Lindjen e Mesme.Gjithashtu, në takim u diskutua edhe për forcimin e bashkëpunimit në luftën kundër trafikut të personave. Zyrtarët amerikanë kanë shprehur vlerësimin për angazhimin e Prokurorisë Shqiptare në goditjen gjatë vitit 2014 të një rrjeti personash që u siguronin shtetasve të ndryshëm shqiptarë kalim të paligjshëm të kufirit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.Duke vënë theksin se Amerika është shtet i mundësive, por duke respektuar rregullat, autoritetet amerikane e vlerësojnë pozitivisht angazhimin e prokurorisë shqiptare në hetimin dhe goditjen e grupeve që synojnë të thyejnë ligjet e vendit për emigracionin.Prokurori i Përgjithshëm e njohu homologun e tij mbi rezultatet konkrete të prokurorisë dhe shtetit shqiptar në përgjithësi në luftën kundër krimit ndërkombëtar dhe korrupsionit vendas.Për Kryeprokurorin, ndihma e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj prokurorisë shqiptare ka qenë dhe vijon të ketë një rol kyç në forcimin e pavarësisë dhe në rritjen cilësore të hetimeve.Dy bashkëbiseduesit diskutuan edhe mbi mundësitë e bashkëpunimit të mëtejshëm, sidomos për kriminalitetin që i kalon kufijtë e kontinenteve./mp/oranews.tv/