Reagon Brukseli zyrtar: Po hetojmë dyshimet për korrupsion në EULEX

Bashkimi Evropian ka thënë se është duke ndjekur nga afër zhvillimet në Kosovë, në lidhje me akuzat kundër anëtarëve dhe ish-anëtarëve të Misionit të BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë, EULEX.Në Bruksel, zyrtarët e Bashkimit Evropian thonë se po i shqyrtojnë seriozisht të gjitha dyshimet e hedhura mbi personelin e këtij misioni, që gëzon ndërkaq imunitet kundruall sistemit vendës të drejtësisë.Në një komunikatë të zyrës së përfaqësueses së Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri thuhet se “që nga viti 2013, autoritetet gjyqësore të EULEX-it dhe të Kosovës janë duke kryer një hetim të përbashkët lidhur me këto pohime. Një analizë e thellë është zbatuar në përputhje me atë që është në thelb të përpjekjeve të EULEX-it, lufta kundër korrupsionit dhe pandëshkueshmërisë”.Në komunikatë thuhet se pavarësisht rrjedhës së hetimeve, mos paragjykimi i fajësisë përbën një gur themeli për sistemin e sundimit të ligjit.Duke ritheksuar mbështetjen e plotë për shefin e sapoemëruar të EULEX-it dhe ekipin e tij, në komunikatë shprehet besimi se “ata do të vazhdojnë të zbatojnë me sukses mandatin e misionit dhe të ndihmojnë autoritetet e Kosovës në konsolidimin e sundimit të qëndrueshëm dhe të përgjegjshëm të sektorit të ligjit në Kosovë, të lirë nga ndërhyrjet politike”.Misioni i EULEX-it, u vendos në Kosovë pas shpalljes së pavarësisë së saj nga Serbia në shkurt të vitit 2008. Misioni ruan ende fuqi ekzekutive dhe trajton rastet e krimeve te luftës por edhe krimin e organizuar dhe korrupsionin në rastet që vlerësohen me të ndjeshme për t’u trajtuar nga prokurorët dhe gjykatësit vendas.