Kodi Rrugor, lirohen autostradat nga karburantet, futet sistemi i pikëzimit
Tiranë- Kodi i ri Rrugor pritet të pastrojë rrugët dhe autostradat nga karburantet, të cilat edhe pse në të shumtën e rasteve pa liçensë kanë dalje në rrugë. Kjo betejë e re është prezantuar nga vetë Ministri i Transporteve, Edmond Haxhinasto.“Ndryshimet në Kodin Rrugor po bëhen për të rritur sigurinë dhe për të ulur numrin e aksidenteve. Masat e reja janë marrë për të rritur sigurinë në rrugë. Vjedhja e sinjalistikës rrugore, kryesisht për shitje për skrap apo vendosja pa kriter e reklamave të biznesit, sot është një problem i madh që ka Ministria.Një tjetër problem mbeten karburantet në anë të rrugëve, ku sipas statistikave në 3700 kilometra rrugë në Shqipëri janë 1000 pika karburanti, ndërsa vetëm 10% e tyre kanë leje për hyrje dhe dalje në autostradë. “60% e aksidenteve ndodhin si rezultat i fajit të drejtuesit të automjetit dhe gjendjes fizike të makinës”, deklaroi Ministri Haxhinasto në komision.Në Komisionin e Veprimtarive Prodhuese është bërë me dije gjithashtu se me kodin e ri hyn në fuqi edhe sistemi i pikëzimit të patentave, por për tu zbatuar ekspertët pranojnë se duhen vite.“Menjëherë bëhet automatike aplikimi i sistemit të pikëve për patentat, që do të thotë me miratimin e këtyre amendimeve, fillojmë menjëherë sistemin e aplikimit të pikëzimit”, tha Haxhinasto.Ndërkohë përsa i përket nivelit të lartë të gjobave, deputetja e LSI-së Monika Kryemadhi deklaroi se kjo gjë lë hapësira për korrupsion .Në seancën e radhës Komisioni i Veprimtarisë do të dëgjojë edhe grupet e interesit, por edhe ekspertë në lidhje me ndryshimet në kodin rrugor.