Kosovë, Presidenca jep alarmin: Po lëkundet qëndrueshmëria e shtetit
Kosova ka hyrë në fazë kritike, qëndrueshmëria e vendit po lëkundet. Ky është paralajmërimi i radhës që vjen nga Presidentja e Kosovës, Atifete Jahjaga, drejtuar klasës politike.Për të disatën herë Jahjaga u ka bërë thirrje palëve politike të gjejnë një zgjidhje për tejkalimin e krizës dhe të krijojnë insitucionet, para se vendi të kalojë në një krizë jo vetëm politike, por edhe financiare e buxhetore.Në një prononcim për mediat vendase, zëdhënësi i Presidencës, Arbër Vllahiu, ka rikujtuar se për një muaj Presidentja Jahjaga ka lehtësuar procesin, duke takuar liderët e partive politike në përpjekje të gjetjes së zgjidhjes, e cila do të respektonte vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe do të ishte në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.Sipas Vllahiut gjendja aktuale apolitike po rrezikon mirëqënien e qytetarëve, pasi ligji për buxhetin nuk mund të miratohet pa konstituimin e Kuvendit.Takimet e deritashme të presidentes Jahjaga me liderët politik janë zhvilluar të ndara, ndërkaq ka një ide për një takim të përbashkët të tyre në Presidencë.Si pasojë e krizës politike, Jahjaga ka anulluar tre vizita vetëm brenda muajit tetor dhe rrjedhimisht e ka të pamundur të përfaqësojë jashtë.Zyra e Presidentes citon sërish, se nëse ngërçi vijon, zgjidhja e vetme mbeten zgjedhjet e reja parlamentare.