Turqi, shembet miniera e qymyrit, bllokohen brenda 19 punëtorë
Të paktën 19 minatorë janë bllokuar nën tokë, pas një aksidenti në një minierë qymyri në jug të Turqisë. Sipas raporteve, miniera në provincën Ermenek në Karaman, u shemb pas përmbytjes së saj.Minatorët janë bllokuar 300 metra nën tokë, ndërkohë që më shumë 20 të tjerë janë shpëtuar nga ekipet e shpëtimit.Një zyrtar turk deklaroi për mediat vendase se shansi që minatorët e bllokuar të mbijetojnë janë të pakta, nëse ata nuk kanë arritur në galeritë e sigurisë.Sahin Uyar tha gjithashtu se ekipet e shpëtimit ende nuk kanë arritur asnjë kontakt me minatorët. Ministri i Energjisë Taner Jildiz dhe Ministri i Transportit Lutfi Elvan kanë shkuar në vendngjarje për të mbikëqyrur operacionin.Ndërkohë Turqia pësoi katastrofën më të rëndë në miniera në fillim të këtij viti, ku 301 minatorë humbën jetën në minierën e Somas.Kjo tragjedi ka ngritur një pikëpyetje të madhe mbi standardet e sigurisë në minierat turke, ku qindra persona protestuan kundër qeverisë së drejtuar atëherë nga Rexhep Tajip Erdogan, tani President i vendit.