BE marrëveshje për uljen e përqindjes së karbonit, Merkel e kënaqur
Kancelarja gjermane, Angela Merkel, shprehu bindjen se marrëveshje e firmosur mbrëmë nga udhëheqësit e Bashkimit Europian për të ulur normën e emisionit të karbonit deri në vitin 2030 ishte një hap vendimtar në shndërrimin e Europës në një aktor kryesor në marrëveshjet e të ardhmes për të mbrojtur tokën nga ndryshimet klimaterike.Të gjithë drejtuesit e vendeve të Bashkimit Europian vazhduan deri në orët e para të ditës së sotme, pas debateve të mëdha nga shtetet për të mbrojtur industritë e tyre.Por në fund, objektivi i përgjithshëm u arrit, dhe vendet e firmosën marrëveshjen për ta ulur emisionin e karbonit deri në 40% nga nivelet e caktuara që prej vitit 1990."Kemi hedhur një hap vendimtar përpara, kemi vendosur një standard që do të sigurojë se Europa do të jetë një aktor i rëndësishëm në përkushtimet e mëvonshme për të mbrojtur globin", tha Merkel menjëherë pas mbylljes së ditës së parë Samitit.Në marrëveshje është përfshirë edhe rritja e përdorimit të energjisë së rinovueshme me 27%, edhe pse fillimisht ishte propozuar që të ishte 30%. Sipas Merkelit, përqindja e arritur ishte më e ulëta, të cilën mund të kishte pranuar Gjermania.Merkel komentoi gjithashtu edhe mbi bisedimet që po bëhen mes BE-së, Rusisë dhe Ukrainës, në lidhjet me borxhet e kësaj të fundit për blerjen e gazit rus.Sipas saj, BE-ja do të vendosë shpejt për dhënien e huasë ndaj Ukrainës. "Rusia pret, dhe me të drejtë, që të marrë paratë që në dhjetor, para se Ukraina të vërë në zbatim planin e ri të Fondit Monetar Ndërkombëtar, kështu që do të na duhet neve që të sigurojmë paratë gjatë kësaj periudhe", u shpreh Merkel.