Fuga: Papunësia intelektuale, dramë që shkakton sistemi arsimor

Sapo ka nisur viti i ri akademik dhe natyrisht sfida më kryesorë për sistemin arsimor është cilësia. Por për akademikun Artan Fuga, një sfidë kryesore mbetet edhe papunësia intelektuale.I ftuar në studion e lajmeve në Ora News, profesor Artan Fuga ngre një pyetje se si duhet bërë arsimi universitar në mënyrë që mos të prodhohjë të papunë?“Një sfidë e madhe e fuqishme është papunësia intelektuale, kjo dramë e madhe që shkakton sistemi arsimor universitar shqiptar, dhe unë kam kohë që bëj thirrje për t’u ulur dhe për të menduar në këtë pikë. Si do bëjmë që sistemi universitar shqiptar të mos prodhojë të papunë, sepse jo vetëm prish jetën dhe të ardhmen e rinisë shqiptare, por nga ana tjetër krijon atë që quhet kapital jorentabël. Pra familja shqiptare që dërgon fëmijën në universitet privat, harxhon shumë, mijëra euro dhe nuk mund të pranojë që këto mijëra euro të shkojnë për të mos dhënë asnjë rezultat. E njëjta gjë edhe më universitetet publike. Nuk i kthehet ky kapital i avancuar”, tha Fuga.Sipas Fugës, duhet të ndodhë profesionalizimi i sistemit arsimor.“Një gjë që duhet të ndodhë sipas mendimit tim është profesionalizimi i sistemit arsimor. Nuk mundemi dot ne, që në dijet shkencore dhe natyrore ne të jemi akoma në dijet fondamentale, të mbarojë formimi i studentit te dijet fondamentale, aq më shumë të pranojmë që shkencat sociale të bëhen shkenca humanitare, që do të thotë që një profil i caktuar të trajtohet jo si një profil që të con drejt një profesioni që transformon botën, por si një formim që e përshkruan botën”, tha profesor Fuga.Akademiku Artan Fuga nuk mund t’i shpëtonte edhe pyetjes së gazetares Klementina Cenkollari për temën aktuale, atë të situatës së krijuar pas ndeshjes mes Serbisë dhe Shqipërisë. Për Fugën pasionet politike nuk duhet të projektohen në ndeshje futbolli.“Ngjarja ishte e papëlqyeshme por duhet dalluar futbolli nga politika, që do të thotë që edhe para ndeshjes, duhet konsideruar se nuk ka pse pasionet politike të projektohen në një ndeshje sporti”, u shpreh Fuga.