Rama don. Po Beogradi?

"A lipset të shkojë Rama në Beograd pas kësaj që ndodhi?" Rreth kësaj pyetje po rrotullohet debati publik disa ditë pas dhunës antishqiptare, verbale e fizike, të martën mbrëma në stadiumin Partizan të Beogradit.Me kalimin e ditëve po qartësohet pamja e kthjellohet mendimi për atë çfarë ndodhi në stadium; madje disa folklorizma fillestare, si zakonisht, po zbehen. Le të presim gjykimin e UEFA-s duke shpresuar se do të jetë i paanshëm e i drejtë dhe sidomos se do të jetë apel që fushat e sportit të mos degradojnë në një oturak ku hidhet urrejtja ndërnjerëzore, etnike apo tjetërlloj.Reagimet nga Europa e ShBA ndaj ngjarjes, pavarësisht nga nuancat, kanë qartazi një fill të përbashkët: incidenti i stadiumit nuk duhet lejuar të derdhet në marredhëniet ndërshtërore. Së pari ky është edhe interesi i Shqipërisë, i shqiptarëve e i Ballkanit. Pas gjakderdhjes së viteve 90 e mira e padiskutueshme e pothuaj të gjithëve është stabiliteti, zhvillimi demokratik dhe ekonomik si dhe integrimi europian e euroatlantik. Së dyti ky është edhe interes perëndimor e global në një kohë kur janë hapur jo pak vatra konflikti në botë.Vizita e Kryeministrit Rama në Beograd nuk përbën risi të veçantë. Pas rrëzimit të Milosheviçit raportet shqiptaro-serbe, edhe pse me zigzage, kanë shkuar drejt normalizimit përmes kontakteve, takimeve por edhe vizitave në nivel të lartë e marrveshjeve dypalëshe. Nuk kanë munguar vitet e shkuara as shkëmbimet e ftesave për vizita në nivelin më të lartë çka e vendos vizitën serbe të z. Rama në hullinë e vazhdimësisë edhe pse ngjarja në vetvete ka një simbolizëm të fortë. Besoj kjo është arsyeja që me njoftimin e vizitës nuk ka patur shumë kundërshti e polemika për aktin.Por një vizitë ka dy palë ashtu siç tango ka dy vallzues. Prandaj lupa e hulumtuesit duhet të vendoset mbi palën serbe. Jo mbi palën gojarisht e fizikisht huligane në stadium. As mbi shkeljet, ekzagjerimet e policisë e personelit të stadiumit. Nuk ja vlen. Por lupa duhet mbi qendrimet pas incidentit të krerëve shtetërorë të Serbisë që kane ftuar për vizitë kryeministrin e Shqipërisë e që me gjasë do jenë nikoqirë të tij javën e ardhëshme. Shumëkush mund të thotë se koincidenca e ndeshjes/incidentit në prag të datës së vizitës ishte fatkeqe. Ashtu mund të jetë. Por sidoqoftë tensioni e emocioni mua më janë dukur shokuese deklaratat e Presidentit, Kryeministrit e Ministrit të jashtëm të Serbisë. Me një dimension armiqësie, përbuzje e shpifjeje me rrënjë në mentalitetin e retorikën milosheviciane ato shprehje mund të ishin të kujtdo por jo të shtetarit të ndërgjegjshëm e aq më pak të mikpritësit të javës tjetër. Për më tepër edhe sulme personale, pa kujdes për ti koduar, ndaj kryeministrit vizitor. Dhe, qershia mbi tortë (pa fyerje për frutin), pasi kaloi kjo valë e zoti Rama i deklaroi agjencisë Reuters se gjithsesi do ta bënte vizitën, fiks katër orë më vonë Ministri i brendshëm serb, në të njejtën agjenci, shprehej se "qeveria shqiptare dinte për pregatitjen e provokimit" dhe se "Shqipëria është e papjekur për familjen Europiane".Pas kësaj a do të lipsej që pyetjen në fillim të këtij shënimi ta zëvendësojmë me "a e duan udhëheqsit e Beogradit vizitën e zotit Rama?".