Ndahet nga jeta “Paganini” shkodran i violinës Mark Kaftalli
Shkodër - Ka ndërruar jetë në moshën 81 vjeçare, violinisti dhe kompozitori i shquar shkodran, Mark Kaftalli. Paganini shkodran i violinës, që do të shkruante historinë e tij në librin e madh të kulturës shqiptare, lindi në Shkodër më 14 dhjetor 1933.Ka kryer kursin e violinës pranë Shtëpisë së Kulturës, nën drejtimin e mësuesit Zef Alimhilli. Më vonë në vitin 1952-1955, kreu shërbimin e detyrueshëm ushtarak pranë Ansamblit të Ushtrisë në Tiranë, ku vazhdoi studimet për violinë nën kujdesin e kompozitorit-violinist Nikolla Zoraqi.Pas kryerjes së shërbimit ushtarak, punoi nën kujdestarinë private të kompozitorit Preng Jakova, për mësimin e harmonisë dhe kompozicionit. Është prezantuar për herë të parë në Shtëpinë e Kulturës të qytetit të Shkodrës me orkestrën e madhe dhe korin e këtij institucioni, ku Gjon Saraçi ishte në piano dhe Prenk Jakova ishte shefi dhe drejtuesi i muzikës.Suksesi i Markut ishte befasues për nga talenti i tij i jashtëzakonshëm. Karriera e tij deri në daljen në pension ka vazhduar pa ndërprerje për 30 vjet në Teatrin "Migjeni", si udhëheqës artistik.Kompozitori dhe instrumentisti i madh shkodran, Mark Kaftalli, për të parën herë në vitin 1962 realizoi festivalin e parë të muzikës së lehtë në Shkodër. Po në këtë vit u realizua dhe festivali i parë i muzikës së lehtë në Tiranë. Në festivalin e parë të kompozitorëve amator, Marku fitoj çmimin e parë me këngën "Vallë çka dru" me tekst dhe muzikë të krijuar nga vetë ai dhe e kenduar nga Ibrahim Tukiçi dhe Avni Mula.Mbi 30 vjet si violinist ka drejtuar orkestrën e Kafes së Madhe. Ai ka kompozuar mbi 750 këngë, transkiptoi dhe harmonizoi mbi 400 këngë popullore shkodrane. Gjithashtu Mark Kaftalli është autor i shtatë operave. Sipas specialistëve të muzikës, Kaftalli radhitet ndër emrat që kanë dhënë kontribut të madh në përgatitjen e talenteve të reja.Mark Kaftalli është dekoruar me medaljen "Naim Frashëri " të klasit të dytë dhe të parë. Në vitin 2005 është nderuar me titullin "Mirënjohja e Qytetit" nga Bashkia e Shkodrës dhe po ashtu në vitin 2012 me "Diplomën e Pavarësisë".Emri dhe suksesi i mjeshtrit të jareve shkodrane artistit të merituar Bik Ndoja dhe këngëtarit Shyqyri Alushi, janë produkt i punës së palodhur dhe profesionale që kompozitori Mark Kaftalli bëri me këto artistë. Ai ishte padyshim një nga ikonat e muzikës shkodrane, mjeshtri i violinës dhe zbuluesi i shumë talenteve të mëdha.