Presidencialet në Brazil, Dilma Rousseff në balotazh me Aecio Neves

Presidentja braziliane në detyrë, Dilma Rousseff, do të duhet të përballet në balotazh me kandidatin e qendrës së djathte, Aecio Neves, edhe pse ka fituar shumicën e votave në zgjedhjet e së dielës.Rousseff mori 42% të votive popullore, ndërsa rivali i saj, 34%. Por kjo do të thotë se Rousseff nuk ka arritur numrin e duhur të votave për të shmangur raundin e dytë, që do të zhvillohet më 26 tetor.Megjithatë, zonja Rousseff u shfaq e kënaqur para kamerave dhe tha se me këto votime njerëzit kanë shprehur përbuzjen për "fantazmat e së shkuarës, reçesionin ekonomik dhe papunësinë. Ajo u zotua se do të vazhdojë punën për të ndryshuar Brazilin."Mesazhi nga kutitë e votimit ishte i qartë. Shumica e brazilianëve duan që ne të përshpejtojmë me punën për ndërtimin e Brazilit", tha ajo.Në vend të tretë, me 21%, u rendit ambjentalistja Marina Silva, një rezultat surprizë ndoshta edhe për vetë atë.Ndërkohë, rivali i Rousseff, 54-vjeçari Neves, u bëri thirrje mbështetësve të zonjës Silva që të votonin për të në raundin e tyë, ndërsa vetë ajo tha se do të takohej në ditët në vazhdim më përfaqësuesit e tjerë të Partisë Socialiste Braziliane për të vendosur se cilin kandidat do të mbështesnin."Brazili ka dhënë sinjale të qarta që kërkon ndryshim", tha ajo për gazetarët në Sao Paolo.Të dielën, kutive të votimit iu drejtuan më shumë se 80% nga 142 milionë persona që kishin të drejtën për të votuar.Përveç se për Presidentin e vendit, brazilianët votuan edhe për kongresmenët dhe guvernatorët e qeverive lokale.