Suedia premton të njohë Palestinën, tërbohet Izraeli
Qeveria e re e qendrës së majtë në Suedi ka në plan njohjen e shtetit të Palestinës, një deklaratë kjo që ka sjellë menjëherë reagimin e ashpër të Izraelit. Nëse ndodh vërtet, Suedia do të bëhej shteti i parë që ndërmerr një hap të tillë.Vendimi u shpall nga vetë kryeministri i ri, Stefan Lofven, të premten në parlament, dhe u konfirmua të shtunën nga Ministrja e Jashtme, Margot Uallstrom. Ajo pranoi se priste kritika nga Uashingtoni, por shtoi se ky plan ishte prej shumë kohësh pjesë e programit të qeverisë. Por reagimi i parë ndaj këtij lajmi ka ardhur nga Ministri i Jashtëm izrealit, Avigodr Liberman, i cili e quajti të gabuar lëvizjen e qeverisjes së Lofvenit."Na vjen vërtet keq për deklaratën e bërë nga kryeministri suedez. Mendojmë se kjo është qasja e gabuar ndaj sitatës sepse çdo hap që ndërmerret në mënyrë të njëanëshme do të kishte pasoja negative. Është vërtetë e çuditshme se si kryeministri Lofven foli për çështjen e Palestinës dhe harroi tërësisht të përmendte probleme të tjera të lindjes së mesme, si lufta në Siri", tha Liberman nga Jeruzalemi, i cili shtoi gjithashtu se do të thërriste menjëherë në takim ambasadorin suedez në vend për shpjegime.Ndërkaq, Presidenti palestinez, Mahmud Abaz, tha se deklarata e palës suedeze ishte e mirëpritur dhe madhështore, me shpresën se edhe vende të tjera do të ndiqnin shembullin e Suedisë.Ndërkohë, si rrallëherë në historinë e vet, Izraeli ka lejuar deri në 500 palestinezë që jetojnë në Gaza që të falen në vendin e shenjtë për muslimanët në Jeruzalem gjatë festimeve të Kurban Bajramit. Gjithashtu kufijtë u hapën edhe për palestinezët që donin të futeshin nga Bregu Perëndimor. Kjo ishte pa dyshim lëvizje më dorëlëshuese e izraelitëve që prej vitit 2007, e paralajmëruar që pas kritikave ndaj Kryeministrit Benjamin Netanjahu gjatë takimit me Presidentin amerikan, Barak Obama, të mërkurën.Megjithatë personat që janë lejuar të falen në xhaminë Al-Aksa - vendi i tretë i shenjtë për muslimanët pas Mekës dhe Medinës - kanë qenë vetëm mbi 60 vjeç.Oranews.tv