Guvernatori i ri, argjentinasi Mario Blejer ose “asi” nën mëngë i Ramës
Mario Blejer është “asi” nën mëngë që Kryeministri Edi Rama në shtypin e ditës thuhet se ia ka hedhur në tavolinë Presidentit Bujar Nishani që të firmosë si Guvernator të BSH. Emri i argjentinasit, gjithmonë sipas shtypit, nuk ia ka mbushur mendjen kreut të shtetit, që e ka refuzuar duke i qëndruar garës së aplikimeve që ka shpallur me emra shqiptarë sipas Kushtetutës.Burimet e “Ora News” pranë Presidentit dhe Kryeministrit konfirmojnë qarkullimin në tryezën e diskutimit të ish-Guvernatorit të Argjentinës, por që megjithë eksperiencën e tij, nuk i ka puqur dot idetë e dy shtetarëve shqiptarë për t’i dhënë bekimin si pasues të Ardian Fullanit në krye të Bankës së Shtetit, aktualisht pa kokë.Fiks një vit më parë Blejer ka qënë shumë pranë detyrës së Guvernatorit, por jo të Bankës Shqiptare, por të Izraelit, duke qënë një nga të preferuarit e Benjamin Netanjahut, dëshirë që në fakt nuk iu realizua. Po kush është njeriu që me sa duket i ka prishur mendjen Kryeministrit, që nuk ka ndërmend të heqë dorë nga një i huaj për Bankën shqiptare?Mario Blejer është lindur në Kordoba të Argjentinës në vitin 1948. Arsimin e lartë e ka kryer në Universitetin Hebre të Jerusalemit, ku u diplomua në vitin 1970 për ekonomi dhe histori hebreje. Në vitin 1980 Blejer iu bashkua Fondit Monetar Ndërkombëtar si këshilltar në politikat monetare, kursin e këmbimit dhe politikat fiskale.Në vitin 1997 deri në vitin 2001, punoi si pjesë Bordit Redaksional për publikimet e brendshme në Fondin Monetar Ndërkombëtar dhe në Gazetën Europiane të Ekonomisë Politike. Në periudhën 1996-2000, Blejer dha mësim në Universitetin e Europës Qendrore në Budapest dhe dha kontributin e tij në një sërë publikimesh në lidhje me politikat ekonomike, ku spikasin botimet në Revistën Ekonomike Amerikane, Gazetën e Politikave Ekonomike, Revista Ekonomike Ndërkombëtare etj. Ndërsa ekonomia argjentinase po merrte tatëpjetën, në mars 2001, Blejer pranoi ofertën për të qenë Zv.president i Bankës Qendrore Argjentinase, duke u larguar kështu nga FMN-ja pas 21 vitesh karrierë atje.Pas dorëheqjes së Presidentit të vendit, Fernando de la Rua në dhjetor, dhe të Presidentit të Bankës Qendrore, Roke Makarone në janar, Blejer u emërua si pasues i tij e mori kështu detyrën në periudhën më të keqe të ekonomisë argjentinase që prej krizës që njihej si “Paniku i vitit 1980”.Ai u caktua në këtë detyrë vetëm për shkak të marrëdhënieve të mira personale që kishte me figura të spikatura amerikane si me Shefin Ekzekutiv të Rezervës Federale në SHBA, Alan Grinspan; Sekretarin e Thesarit, Pol O'Nill dhe zëvendësin e tij, Xhon Tejlor, por edhe pse ishte nga të paktët ekonomistë në vend që kishte ende marrëdhënie të mira me politikanët argjentinas.Politikat e tij për liberalizimin e ligjeve të falimentit dhe dollarizimin e ekonomisë argjentinase gjetën kundërshtime mes bankave të nivelit të dytë dhe politikanëve, kështu që pas vetëm gjashtë muajsh, ai dha dorëheqjen. Menjëherë më pas iu ofrua një post këshilltari në Bankën e Anglisë. Në Londër ai punoi edhe si këshilltar i Programit Ndërkombëtar për Ekonominë, nga viti 2004 deri në vitin 2007, dhe gjithashtu u emërua si Drejtor i Qendrës për Studime Bankare në Bankën e Anglisë.Në vitin 2008 pati një përpjekje për ta rivendosur Bleje si President të Bankës Qendrore të Argjentinës, por shkarkimi i presidentit në detyrë nga ana e Presidentes së vendit, Kristina Kirshner, u hodh poshtë nga gjykata e vendit. Gjatë kësaj kohe Blejer ka qendruar në Argjentinë dhe ka shkruar editoriale për një prej gazetave më të mëdha në vend, "Clarín".Oranews.tv