Obama-Netanjahut: T'i jepet fund vdekjes së civilëve në Palestinë

Një takim i sjellshëm, por me kërkesa të forta. Kështu e kanë përkufizuar mediat amerikane bisedën mes presidentit Barak Obama dhe kryeministrit izraelit, Benjamin Netanjahu.Obama i kërkoi Netanjahut që t'i jepte fund vdekjes së civilëve në Palestinë, ndërsa Netanjahu e paralajmëroi se pasojat e lënies së Iranit të zhvillojë kapacitete bërthamore do të jenë të rënda.Ky ishte takimi i parë mes të dyve që prej luftës shtatëjavore të Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, ku humbën jetën më shumë se 2100 palestinezë dhe më shumë se 70 izraelitë. Numri i lartë i civilëve të vrarë sollën dhe reagimin e ashpër të administratës amerikane, që nuk shprehet shpesh kundër aleatit të saj më të madh në Lindjen e Mesme.Para se të kryenin bisedën private, Obama tha për gazetarët, i ulur përkrah Netanjahut: "Palët duhet të gjejnë një rrugë për të ndryshuar situatën, në mënyrë që fëmijët izrealitë të jenë të sigurt nëpër shtëpi dhe shkolla, por edhe të mos përsëritet tragjedia e vrasjes së fëmijëve palestinezë".Si kundërpërgjigje, Netanjahu i kërkoi Presidentit amerikan që të kërkonte me ngulm tërheqjen e Iranit nga përpjekjet për të ndërtuar bombën bërthamore, të cilën Izraeli e sheh si rrezik për vetë ekzistencën e shtetit të vet."Irani kërkon një marrëveshje ku të përfitojë heqjen e sanksioneve, për të cilat jeni munduar shumë dhe të vazhdojë planet e veta për t'u bërë fuqi bërthamore", i tha Netanjahu Obamës."Shpresoj që nën udhëheqjen tuaj kjo të mos ndodhë".