Kina “mesazh” SHBA-së: Larg Hong Kongut, është çështje brendshme
Kina i ka bërë të qartë Shteteve të Bashkuara të Amerikës se nuk pranon asnjë ndërhyrje në çështjen e protestave të Hong Kongut, pasi ato janë një çështje e saj e brendshme.Gjatë një takimi mes sekretarit amerikan të shtetit, Jon Kerry, dhe homologut të tij kinez, Uang Ji, ky i fundit i është përgjigjur kështu thirrjes së Kerryt për më shumë vetëpërmbajtje nga ana e autoriteteve kineze ndaj protestuesve pro reformave demokratike."Ne mbështesim protestat e zhvilluara në Hong Kong, të bazuara në ligj. Dhe besojmë se një shoqëri e hapur, me shkallën më të lartë të autonomisë së mundshme, ështe thelbësore për qendrueshmërinë dhe përparimin e Hong Kongut", tha Kerry në konferencën e përbashkët për shtyp.Por përgjigja e Uang ishte edhe më e fortë: "Sekretari Kerry përmendi Hong Kongun. Qeveria kineze e ka bërë të qartë me vendosmëri pozicionin e saj. Hong Kongu është çështje e brendshme e Kinës dhe të gjithë shtetet e tjera duhet të respektojnë sovranitetin e Kinës. Besoj se asnjë shtet nuk do të lejonte të kryheshin akte të tilla që prishin rendin publik. Kështu ndodh edhe në SHBA. Besojmë se qeveria e rajonale e Hong Kongut i ka të gjitha aftësitë për ta përballuar situatën në përputhje me ligjet".Uang është zyrtari më i lartë kinez që komenton mbi protestat masive që kanë shpërthyer në ishull, të cilat konsiderohen si më të mëdhatë që prej protestave të studentëve në sheshin Tinanmen në vitin 1989.Ndërkohë, autoritetet në Hong kong kanë vazhduar sipas planeve me ceremoninë e festimit të ditës kombëtare. Kreu i ekzekutivit, Leung Chun-ying dhe zyrtarë të tjerë morën pjesë në ceremoninë e mbajtur në sheshin Bauhinia. Për të parandaluar skenat e dhunës që mund të gjeneronin, studentët e Universitetit të Hong Kongut bënë një apel në internet që ceremonia e flamurit të mos ndërpriet apo cënohet.Festimet shkuan të qeta dhe paqësore, edhe pse protetsuesit fërshëllenin në momentin e himnit kombëtar. Në fund të ceremonisë, dy flamujt, ai kinez dhe i hong kongut, u falvitën në shenje bashkëpunimi mes dy vendeve. Festimet për 65-vjetorin e themelimit të Republikës Popullore të Kinës u mbajtën edhe në Kinë, ku më shumë se 100 mijë persona u mblodhën në sheshin Tiananmen.Në mbështetje të protestuesve të Hong Kongut kanë dalë edhe të rinj në sheshin Liria të Tajvanit. Ndryshe nga Hong Kongu, ishulli tjetër ka një qeveri plotësisht demokratike, por sërish është i lidhur fort ekonomikisht me Kinën, që e konsideron si krahinë të saj.