Prokurorët në Hagë: Karaxhiçi bënte terror te civilët
Forcat e Radovan Karaxhiçit kanë vrarë popullsinë civile për të bërë terror. Kjo ka qenë kryefjala e deklaratës së sotme të prokurorëve në Gjykatën e Hagës për Krime Lufte, gjatë seancës së radhës në çështjen e liderit të serbëve të Bosnjes, Radovan Karaxhiç.Ndërsa po afron fundi i gjykimit të Karaxhiçit, prokurorët kërkojnë maksimumin e dënimit për të, që është burgim i përjetshëm. 69-vjeçari përballet me akuzën e vrasjes së më shumë se tetë mijë muslimanëve, burra dhe djem të rinj nga Serbrenica, e cila mbahet mend si masakra më e madhe në botë që prej Luftës II Botërore.Gjithsej në luftën e Bosnjes në periudhën 1992-1995 kanë gjetur vdekjen 100 mijë persona. Ai konsiderohet gjithashtu përgjegjës për rrethimin 43-mujor të Sarajevës ku kanë humbur jetën më shumë se pesë mijë civilë.Prokurorja e çështjes, Katrina Gustafson, tha para trupit gjykues:"Një mortajë e vetme që ka shpërthyer në tregun Markale ka vrarë më shumë se gjashtëdhjetë vetë dhe ka plagosur 141. Bombardimet nuk janë ndalur as në zona të populluara me civilë dhe kjo është bërë për të terrorizuar popullatën”.Karaxhiçi, i cili po mbrohet vetë në gjyq, ka mohuar akuzat ndaj tij dhe pretendon se Gjykata e Hagës është thjesht një vegël e NATO-s. Të mërkurën pritet që ai të japë fjalimin e fundit para se të merret vendimi.Akuzat ndaj tij u ngritën që në vitin 1995, pak kohë pas përfundimit të luftës, por ai u arrestua vetëm në vitin 2008 pasi qendronte i fshehur prej vitesh në Beograd.