Burg dy ish-drejtuesve të lartë të ALUIZNI-t Vlorë, pjesë e dosjes "Gjika"
Vlorë- Gjykata dënon me burg dy ish-drejtues të lartë të ALUIZNI-t Vlorë, të cilët akuzohen se kanë legalizuar në kundërshtim me ligjin hapësira publike në zonën e njohur “Tre Racat” në këtë qytet.Pas hetimit të Prokurorisë gjykata ka shpallur fajtor dhe ka dënuar me 1 vit e 6 muaj burgim ish-drejtorin e ALUIZNI-t, Roland Tafilaj dhe me 1 vit burgim ish-përgjegjësin e Sektorit të Urbanizimit të këtij institucioni, Besnik Zërra, të dy të akuzuar për “shpërdorim detyre”.Këto janë dy-ish zyrtarët e parë që dënohen nga procesi gjyqësor ku është i pandehur edhe kryetari i Bashkisë së Vlorës, Shpëtim Gjika.Gjithashtu, gjykata ka dhënë për dy ish-zyrtarët e lartë të ALUIZNI-t Vlorë dënim plotësues heqjen e së drejtës për të ushtruar funksione publike për një afat prej 3 vjet.Të dy të pandehurit e mësipërm, akuzohen se kanë kryer në kundërshtim me ligjin dhe aktet nënligjore dhe në mospërmbushje të rregullt të detyrës së tyre, kualifikimin për legalizim të tre objekteve infomale dhe të parcelave ndërtimore, në emër të shtetasve M. Tartari, A. Ahmataj dhe A. Ferati, të ndodhura në vëndin e quajtur “Tre Racat” Vlorë, duke lejuar më pas edhe vazhdimin e procesit të legalizimit.Gjithashtu, është kualifikuar dhe dërguar për miratimin në Këshillin e Ministrave praktika e objektit dhe parcelës informale në emër të shtetasit G. Feta, pa verifikuar me parë nëse plotësoheshin kushtet për legalizim, pa u plotësuar aktet e konstatimit të gjëndjes në fakt dhe të aktit të kualifikimit të objektit për legalizim.