Përmbytjet në Shkodër, Panariti: U keqmenaxhuan fondet për argjinaturën e Kirit

Shkoder- Inspektimin e punimeve në rrjedhën e lumit Kir në qytetin e Shkodres, ministri i Bujqësisë e shoqëroi më nje akuzë direkte lidhur me fondin e akorduar për këtë investim në argjinaturën mbrojtëse.Sipas Panaritit ky është shembulli konkret se si keqmenaxhohen fondet publike, ku nga 80 milionë që kërkon kjo ndërhyrje, fondi ka përfunduar në 27 milion lekë.“Ndërhyrjet këtu kërkohen të jenë më të fuqishme. Këtu kemi të bëjmë një shembull klasik sesi keqmenaxhohen fondet publike. Pra një kërkese fillestare të bërë për një fond prej 80 mln lekë nëpërmjet abuzimeve dhe shtigjeve që le ligji i prokurimit publik, ka reduktuar në një investitor i cili e ka fituar këtë tender me 27 milionë lekë por që rezultojnë të pamjaftueshme për të përballuar punimet”, tha Panariti.Lidhur me masat që po merren në tërësi për qarkun e Shkodrës që të mos kemi sërish përmbytje masive, ministri tha se do të merret posaçërisht ai me këtë çeshtje, për të cilën kërkoi përshpejtim të punimeve në hidrovorin e Çasit.“Të avancojnë punimet në hidrovorin e Çasit, në mënyrë që ai sa më shumë të futet në kapacitet të plotë. Përpos pompave të mëdhaja që duhet të vijnë duhen bërë ndërhyrje urgjente në pompat e vogla”, u shpreh Ministri Panariti.Vitet e shkuara Shkodra është përballur me përmbytje masive të tokave bujqësore, apo edhe banesave në zonën e Nënshkodrës. Një pjesë përmbytjeve kanë ardhur nga mosfunksionimi i kanaleve kulluese, hidrovoreve si dhe argjinaturave mbrojtëse.