Trupat amerikane në Afganistan, edhe pas 2014-ës

Qeveria e re e Afganistanit do të nënshkruajë një marrëveshje për sigurinë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe NATO-n, ç’ka do të lejojë trupat e huaja të mbeten në vend edhe pas 2014-ës. Një zyrtar amerikan konfirmoi lajmin, duke u shprehur se trupat amerikane do të qëndrojnë në Afganistan edhe pas këtij viti, në bazë të një marrëveshjes që do të nënshkruhet me Presidentin e ri të vendit.Sipas marrëveshjes dypalëshe të sigurisë, rreth 10000 ushtarë do të vazhdojnë të qëndrojnë në Afganistan pas mbarimit të misionit ndërkombëtar luftarak më 31 dhjetor të këtij viti. Njoftimi doli të hënën, ndërkohë që Ashraf Ghani mori zyrtarisht postin e Presidentit të Afganistanit nga Hamid Karzai.Nën masa të forta sigurie, të hënën, përfaqësues nga e gjithë bota u bashkuan me udhëheqësit politikë dhe fetarë afganë në ceremoninë e inagurimit, të mbajtur në pallatin presidencial në Kabul. Në ceremoninë e betimit morën pjesë rreth 100 personalitete , ndërkohë që rivali politik i Presidentit Ghani, Abdullah Abdullah bëri betimin si shefi i ri ekzekutiv i vendit në bazë të një marrëveshje për ndarjen e pushtetit, të arritur pas një krize disa muajshe që pasoi zgjedhjet presidenciale në Afganistan. Në kohën e betimit të Presidentit, dy bomba vranë të paktën 15 persona, pergjegjësinë e të cilave e morën talebanët.Oranews.tv