Rusia, çështje penale për genocid në lindje të Ukrainës

Pas një pauze njëmujore, ndizet sërish lufta mes Rusisë dhe Ukrainës. Rusia ka hapur një çështje penale ndaj Kievit, duke e akuzuar për genocid ndaj banorëve rusfolës në lindje të Ukrainës.Ky vendim i Rusisë vjen në kohën kur palët kanë nënshkruar një marrëveshje armëpushimi dhe kur parlamenti ukrainas u ka dhënë të drejtën për vetëqeverisje, rajoneve Donejsk dhe Luhansk për një periudhë tre-vjeçare.Një zyrtar i lartë i qeverisë ruse, në një deklaratë për shtyp tha se qytetarët rusfolës janë në shenjestër nga Forcat e Armatosura Ukrainase, të cilat kanë vrarë me artileri të rëndë mbi 2500 persona në rajonet Luhansk dhe Donetsk. Hetimi mund të rrisë tensionet mes palëve pas marrëveshjes së nënshkruar në fillim të muajit shtator, pas shkeljeve sporadike të saj në disa vende.Zëdhënësi i Komisionit të Hetimit të Federatës Ruse, një organ i zbatimit të ligjit që i përgjigjet vetëm Presidentit Vladimir Putin, tha se përfaqësues të paidentifikuar të lidershipit të lartë politik dhe ushtarak të Ukrainës, forcat e armatosura dhe Garda Kombëtare synojnë asgjësimin e plotë të njerëzve e në veçanti të qytetarëve të rusfolës në territorin e republikave Donetsk dhe Luhansk.Vladimir Markin përmendi shkeljet e Konventës 1948 të OKB-së mbi genocidin dhe "aktet ligjore ndërkombëtare", duke përfshirë edhe shkatërrimin e 500 shtëpive dhe ndërtesave të infrastrukturës publike që kur nisën luftimet në muajin prill. Ndërkohë, nga ana tjetër, Ukraina ka hapur një hetim penal kundër një agjencie ruse të zbatimit të ligjit, duke e akuzuar atë për mbështetjen e separatistëve dhe grupeve "terroriste" në lindje të vendit, një përballje sy për sy kjo me Rusinë.Oranews.tv