Heqja e tatim-fitimit, Berisha:Mbështetje e fuqishme për sektorin privat
Kryeministri Sali Berisha i ka kërkuar Ministrit të Jashtëm te negociohet me vendet e BE për heqjen e vulave të ndalimit të emigrantëve shqiptarë gjatë 20 viteve. Kryeministri tha se ata nuk mund te penalizohen nga liberalizimi i vizave në rastet kur janë dëbuar gjatë 20 viteve vetëm për shkelje kufiri dhe jo për vepra penale.Duke folur në mbledhjen e qeverisë për situatën ekonomike, sërish Kryeministri i është referuar takses progresive, e cila sipas tij do të mbetet në sirtarët e PS-së dhe nuk do të aplikohet asnjëherë. Ndërsa tha se ata që sulmojnë taksën e sheshtë e bëjnë në mënyrë spekulative.“Ata të cilët sulmojnë taksën e sheshtë e sulmojnë kryekëput nga pozita spekulative. Pretendimi se ajo është e njëjtë për të gjithë, është mashtrim absolut. Po, ajo është e njëjtë si përqindje, por është e ndryshme në vlerë, aq sa ndryshojnë rrogat nga njëra-tjetra, të ardhurat nga njëra-tjetra. Jo urrejtje ndaj të pasurve, sepse në mënyrë të përsëritur politikat që kanë synuar të zgjidhin problemin e të varfërve duke shkatërruar të pasurit kanë falimentuar. Ato janë politika që bazohen tek zilia për atë që ka dhe politika që kanë dalë në Shqipëri nga arkivat e Partisë së Punës së Shqipërisë, siç ishte rasti i taksës Koleka. Gazetarët investigative gjetën dhe dokumentin e tij, por që do mbeten vetëm në arkiva”, tha Berisha.Po ashtu Kryeministri ka sqaruar se nga heqja e tatim-fitimit për rrogat e ulëta pritet të përfitojnë rreth 200 mijë punonjës.“Gjatë këtyre 7 viteve në përputhje me programin tonë ne kemi rritur në mënyrën më të fuqishshme rrogat dhe pensionet në sektorin publik, rritje që ka bërë që rroga mesatare të shkojë në 57 mijë lekë. Ky është rezultat i politikës sonë të rritjes së rrogave dhe pensioneve. Një gjë është e sigurtë që me rritjen e rrogave të sektorit publik ne kemi ndikuar fuqishëm, kemi udhëhequr këtë politik në të gjithë vendin çka do të thotë se politika e ndjekur në sektorin publik është ndjekur në mënyrë të pashmangshme edhe nga sektori privat. Me këtë vendim që së shpejti do të shkojë në Parlament ne si qeveri realizojmë një rritje prej 10 përqind të punonjësve të sektorit privat që janë të evidentuar 200 mijë punonjës. Kjo rritje është 1.2 rroga në vit dhe është rritja më e madhe dhe këta punonjës kanë njohur në tërë pjesën e tyre në këto sipërmarje” , u shpreh Kryeministri.