Vlorë, nëna i lutet Shtëpisë së Fëmijës: Ma strehoni djalin 10 vjeç, kursejani vuajtjet

Vlorë - Drama e një tjetër fëmije troket në derën e Ora News në Vlorë, pas rastit të 6 vjeçares me gjyshen, në muajin korrik .Pa asnjë të ardhur, e braktisur nga bashkëshorti, 30 vjeçarja Valbona Izeta, nënë e tre fëmijëve, kërkon strehim, për më të voglin, Arjanin 10 vjeçar.Dy femijët e mëdhenj të 30 vjeçares janë strehuar nga familjarë të Valbonës dhe bashkëshorti.E mbetur mes 4-rrugëve, e papunë, ndonëse e regjistruar në Zyrat e Punës në Vlorë me fëmijën e saj, iu drejtua studios televizive, si një shpresë për të dalë nga një rrugë pa krye.Valbona nuk përfiton asistencë apo ndihmë ekonomike, pasi zyrtarisht nuk është e divorcuar dhe bashkëshorti që e ka dëbuar, ka tokë.Valbonën nuk e pranojnë familjarët e saj, duke mbetur pa asnjë përkrahje në rrugë të madhe, ajo kërkon që të paktën djali i saj të ketë një strehë, duke u sistemuar në shtëpinë e fëmijës.Por lista e gjatë e kërkesave për të pranuar një fëmijë në shtëpinë e fëmijës, kërkon muaj për të plotësuar dokumentacionin, që nga çertifikata e lindjes, vendim gjykate për heqjen e të drejtës prindërore, epikrizë e shëndetit të fëmijës, e shëndetit të prindërve, e një sërë hallkash të tjera që përmbyllen me të dhënat e Policisë për rastin.Deri në plotësim të dokumenteve, 30 vjeçares dhe fëmijës së saj 10 vjeç, do t'u duhet të enden rrugëve.