Deklarim të rremë pasurie, ILDKPKI çon në Prokurori gjyqtarin Osman Aliu

Tiranë- Inspektorati i Lartë i Deklarimit dhe Kontrollit të Pasurive dhe Konfliktit të Interesave kallëzon në Prokurori gjyqtarin e gjykatës së shkallës së parë në Kavajë për deklarim të rremë pasurie dhe pastrim të produkteve të veprës penale.Në njoftimin e publikuar në faqen e tij zyrtare, ILDKPKI bën me dije se në deklaratën e pasurisë së Osman Aliut ka konstatuar fshehje të pasurisë, deklarim të rremë të interesave private, mungesë burimesh të ligjshme financiare për pasuritë e krijuara, transaksione të padeklaruara, të dyshimta, dhe pa burime të ligjshme, 2009 – 2013, jashtë Shqipërisë, deklarime të rreme për huamarrje, huadhënie dhe dhurata me qëllim justifikimin e pasurive të vëna në kundërshtim me ligjin, etj.Gjithashtu, ILDKPKI thekson se do të njoftojë menjëherë Ministrin e Drejtësisë dhe Këshillin e Lartë të Drejtësisë për marrjen e masave disiplinore edhe për sjelljen rrugaçërore të gjyqtarit Osman Aliu, sot në ambientet e Inspektoriatit.Sipas ILDKPKI, ai jo vetëm refuzoi tu përgjigjej pyetjeve të Inspektorëve të ngarkuar me kontrollin e plotë, por edhe u largua dhunshëm e duke i fyer ata gjatë kryerjes së detyrës.