Holtkemper: Qeveria të nisë negociatat me grevistët

Një tjetër zë i prezencës së ndërkombëtarëve në Shqipëri ka apeluar për gjetjen e një zgjidhje për ish të përndjekurit politikë, të ngujuar prej 27 ditësh në grevë urie. Ka qenë ambasadorja gjermane Carola Müller-Holtkemper, e cila nga qyteti i Pogradecit ndërsa ka folur për grevën e urisë, ka deklaruar se Qeveria duhet të nisë negociatat me grevistët për të gjetur një zgjidhje.Duke vlerësuar vuajtjet e ish të burgosurve gjatë diktaturës komuniste ajo është shprehur se dëmshpërblimi është më e pakta që mund të bëhet për të lehtësuar sadopak “vitet e humbura” nën regjimin e diktatorit Hoxha.Ambasadorja gjermane foli nga Pogradeci edhe për raportin e KE për statusin kandidat në BE, ku tha se Shqipëria duhet të përmbushë dhe disa kritere për të marrë statusin. Holtkemper ka shprehur domosdoshmërinë për dialog mes palëve dhe punë të përbashkët, në mënyrë që të përbyllin reformat përpara mbledhjes së KiE ne dhjetor.Sa i përket ekonomisë dhe zhvillimit të saj në Shqipëri, Ambasadorja gjermane vlerësoi se Shqipëria ka pasur ecuri pozitive të rritjes ekonomike, ndërsa ka shtuar se duhet të luftohet informaliteti dhe korrupsioni për të ruajtur rritjen ekonomike.