Greva e urisë, Wollfarth: Demokracia kërkon dialog
Kryetari i Prezencës së OSBE-së në Shqipëri, Eugen Wollfarth ka kërkuar sot dialog për zgjidhjen e situatës së krijuar me ish të përndjekurit politik.Në një reagim të tij, ambasadori Wollfarth theksoi se çështjet e ngritura nga protesta e sotme, si dhe nga greva e urisë që po zhvillojnë disa ish të përndjekur politikë, janë çështje themelore për Shqipërinë.“Demokracia kërkon dialog. Ashpërsimi i mëtejshëm i deklaratave politike publike vetëm sa acaron një situatë tashmë të tensionuar. Prandaj, unë i nxis të gjitha palët, përfshirë shoqërinë civile, të angazhohen në një diskutim të sinqertë, me qëllim gjetjen e një rruge konstruktive për të ecur përpara" thekson Wollfarth.Gjithashtu ambasadori i OSBE-së ka vlerësuar edhe protestën që zhvilluan sot, përpara Kuvendit të Shqipërisë, një grup ish të përndjekurish politikë duke e cilësuar atë si paqësore."E drejta për të zhvilluar protesta paqësore është thelbësore në qeverisjen demokratike. Unë i përgëzoj të gjithë ata që u përfshinë në manifestimin e sotëm, si protestuesit, ashtu edhe punonjësit e policisë - për sigurimin e një atmosfere konstruktive", theksoi më tej Wollfarth.Ndërsa 8 ish të përndjekur politik vijojnë ditën e 27-të të grevës së urisë nga ana e qeverisë ende nuk është dhënë ndonjë sinjal për bisedime me ta.Një ditë më parë Gjykata e Tiranës e cilësoi si të paligjshme grevën e urisë së ish të përndjekurve politik dhe kërkoi shpërndarjen e saj.Vendimi i gjykatës u mor pas kërkesës së policisë, sipas së cilës gjatë grevës janë kryer vepra me rrezikshmëri për jetën, duke ju referuar këtu rastit të dy grevistëve që i vunë flakën vetes.