Greqia i rikthehet grevës, administrata 24 orë jashtë pune
Mjekë, gazetarë, dentistë dhe avokatë lanë punën sërish në Greqi për të protestuar kundër masave të mëtejshme shtrënguese një ditë para se greva e përgjithshme të gjunjëzojë sërish vendin.Pas disa muajsh negociata Greqia-Bashkimi Evropian dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë rënë dakord për një marrëveshje gjithëpërfshirëse të nevojshme për të shmangur falimentimin grek dhe për të zhbllokuar këstin e rradhës prej 31.5 miliardë euro.Por, për sindikatat dhe punonjësit rritja e vazhdueshme e taksave dhe reduktimet e pagave janë duke e bërë mjaft të vështirë mbijetesën.Në këtë kuadër, në televizione sot munguan edicionet e lajmeve ndërsa redaktorë e gazetarë marshuan në shenjë proteste para ministrisë së Punës. Sipas tyre, sektori i medias është goditur rëndë nga recesioni, e druajnë se kjo goditje nuk do të kapërcehet me lehtësi.Përkrah gazetarëve protestuan dhe mjekët, dentistët, noterët dhe avokatët, të cilët shprehen se taksat e larta kanë gjymtuar profesionet e tyre.