Tahiri: S`ka dialog teknik, pa zbatimin e marrëveshjeve
Dialogu teknik me Serbinë mund të vazhdojë vetëm atëherë kur Beogradi t`i zbatojë marrëveshjet tashmë të arritura, thotë kryenegociatorja e ekipit kosovar në këtë proces, Edita Tahiri.Ajo i bëri këto komente në një debat të organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim në kohën kur Kuvendi i Kosovës është në proces të nxjerrjes së një rezolute të re për normalizimin e raporteve me Serbinë, e cila parasheh edhe vazhdimin e dialogut.Megjithatë, zëvendëskryeministrja dhe kryenegociatorja Edita Tahiri ka përsëritur qëndrimin se bisedime të reja në nivelin e deritashëm nuk mund të ketë, përderisa pala serbe nga shtatë marrëveshjet e arritura po zbaton vetëm atë për tregtinë e lirë.Në këtë aspekt ajo kërkoi nga BE-ja si ndërmjetësuese në bisedime që të shtojë trysninë mbi Beogradin për t`i zbatuar marrëveshjet e arritura.“E ftoj Bashkimin Evropian si ndërmjetësues dhe garantues i dialogut teknik që të rrisë trysninë ndaj Serbisë që t`i zbatojë të gjitha marrëveshjet dhe në kuadër të kësaj zhbërja e strukturave paralele është një prej kushteve themelore. Ndërsa për sa i takon perspektivës së dialogut teknik, qëndrimi ynë si Qeveri e Republikës së Kosovës është që pa u zbatuar të gjitha marrëveshjet nga ana e Serbisë, ne nuk shohim ndonjë arsye për të vazhduar dialogun teknik”, ka thënë Tahiri.Tahiri theksoi se sa i përket dialogut të nivelit të lartë, ai duhet t`i shërbejë paqes dhe stabilitetit, dhe për këtë kërkoi që të ketë një konsensus politik në vend.Ajo tha se ky dialog i ri që po përgatitet duhet t`i ketë vijat e kuqe, që nënkuptojnë se nuk ka bisedime për çështje te brendshme të Kosovës.Ndërkaq, deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Sadri Ferati kërkoi që Kuvendi të marrë rolin që i takon dhe të definojë pozicionin e palës kosovare në bisedimet e ardhshme.“Mbetet të shihet, qartësohet dhe presim zhvillime transparente në këtë drejtim edhe në Kuvendin e Kosovës dhe mendoj që në të gjitha fazat Kuvendi duhet të jetë i kyqur në këtë drejtim, çka nuk ka qenë gjithmonë”, ka deklaruar Ferati.Debati i së martës është organizuar nga Instituti për Demokraci dhe Zhvillim dhe mëtonte të gjente një përgjigje në pyetjen se si duhet qasur veriut të Kosovës në procesin negociator Prishtinë – Beograd të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian.Drejtori Ekzekutiv i këtij Instituti, Leon Malazogu në mesin e rekomandimeve përmendi edhe çështjen e veriut, sado që pjesmarrësit e këtij debati nuk i kushtuan shumë rëndësi kësaj teme, sa i kushtuan vazhdimit të bisedimeve.