Shkodër, makina përplas për vdekje një 55 vjeçar, ndalohet shoferi
Shkodër-Nje aksident i rëndë me pasojë vdekjen e një 55 vjeçari ka ndodhur pasdreken e së hënës në kryqëzimin e lagjes “Rus” në Shkoder.Skender Krasniqi ka qënë duke ju afruar motorçikletës së tij të parkuar në pjesën anësore të rrugës, kur është përplasur për vdekje nga automjeti tip Benz me targë AA 824 AA në pronësi të shtetasit Nik Rreshpja 54 vjec, por e drejtuar nga 20 vjeçari Aldo Majnishta.Sipas policisë e cila ka mbërritur ne vendin e ngjarjes dhe ka nisur hetimet për shkaqet e këtij aksidenti, shkak i përplasjes së 55 vjecarit ka qënë shpejtësia e madhe me të cilën po lëvizte i riu, ku si pasojë e humbjes së kontrollit ai nuk ka mundur të frenojë automjetin.Mësohet se 20 vjeçari ka patur si destinacion qëndrën e qytetit të Shkodrës për xhiron e pasdrekes dhe në momentin që ka pikasur policinë në kryqëzimin e Rusit, nga frika se automjeti i tij ishte me xhama të zinj, ai ka bërë një manovër duke u kthyer mbrapa.Nga kjo manovër si pasojë edhe e shpejtësisë, ai ka humbur kontrollin e mjetit duke përplasur për vdekje 55 vjeçarin dhe më pas është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes.Policia e ndodhur në postbllok ka njoftuar shërbimet e tjera që kanë ngritur menjëherë postbllok në dalje të rrugës.20 vjeçari pasi i ka parë ka ndaluar automjetin dhe ka tentuar të largohet nga vendi i ngjarjes duke vrapuar, por kanë qenë efektivët e policisë të cilët kanë bërë të mundur arrestimin e tij. Së bashku me ndalimin e tij, po merret në pyetje edhe pronari automjetit i cili i ka lënë Benz-in 20 vjeçarit për të lëvizur.
(Në foto: Pamje nga aksidenti)