Ambasada Amerikane në Prishtinë: Institucionet të krijohen në bazë të Kushtetutës
Ambasada Amerikane në Prishtinë, ka sqaruar edhe një herë pozicionin e saj në raport me bllokadën politike në Kosovë. Ambasada ka kërkuar krijimin sa më të shpejtë të institucioneve në pajtim të plotë me Kushtetutën, Vendimin e Gjykatës Kushtetuese dhe me ligjin.Amerikanët nuk e shohin të përshtatshme të ndërhyjnë në procesin e brendshëm aktual politik derisa konfirmojnë vazhdimin e përkrahjes së tyre për liderët dhe institucionet e Shtetit të Kosovës, raporton Express.“Ambasada e SHBA’së vazhdon të këshillojë dhe të përkrahë institucionet dhe liderët politikë të Kosovës gjersa Kuvendi përgatitet që të kompletojë seancën e vet konstitutive dhe gjersa të formohet qeveria e re. Sidoqoftë, ne nuk besojmë se për misionet e huaja është i përshtatshëm roli i ndërhyrjes në procesin e brendshëm aktual politik”, thuhet në përgjigjen e Ambasadës, për Gazetën Express.“Ne inkurajojmë Kosovën që të ndjekë procedurat që janë vendosur nga Kushtetuta, ligji, dhe Gjykatat, me qëllim të krijimit të qeverisë së re sa më shpejtë që është e mundshme”, thuhet më tej në përgjigje.Ambasada Amerikane edhe njëherë ka përmendur se SHBA’ja dhe Kosova kanë interesa strategjike sa i përket dialogut me Serbinë e deri te kërcënimet nga luftërat e huaja.“Ne presim të punojmë së bashku me liderët e Kosovës lidhur me interesat tona të përbashkëta strategjike, duke përfshirë dialogun me Serbinë, formimin e Gjykatës Speciale, integrimin në BE, reformën e sektorit të sigurisë, dhe zbatimin e legjislacionit për adresimin e kërcënimit nga luftëtarët e huaj”.