"S'ka rënie të lexueshmërisë, libri ka qasje të re drejt perendimit"
Tiranë - Loreta Berhami, drejtuese e Shtëpisë Botuese "Pegi", e ftuar në "Mëngjes Express" në studio me gazetarin Enkel Demi, foli për botimet më të fundit të Shtëpisë Botuese. Berhami tha se nuk ka patur rënie të lexueshmërisë, pavarësisht krizës ekonomike që ka ndikuar, ashtu si në çdo fushë tjetër.Berhami u shpreh se kemi një qasje drejt perendimit, edukimit dhe zhvillimit; grupmosha 20 vjeç e lart e ka të qartë se pa qënë të edukuar, e kanë të vështirë të bëjnë “hajër”.“Jo, nuk mendoj se ka një rënie të leximit, ndoshta ka një rënie të gjëndjes ekonomike të përkohshme këto vite, që si çdo fushë tjetër ka qënë në krizë” – tha Berhami - Mos të harrojmë që libri për një popull relativisht të varfër është luks, këtë e kanë të qartë të gjithë botuesit. Për sa i përket leximit në vetvete, nuk besoj se ka rënë, përkundrazi besoj se me një farë qasjeje të re ndaj perendimit, edukimit, ndaj zhvillimit, të gjithë njerëzit në moshën 20 vjeç e sipër, e kanë të qartë se pa qënë të edukuar e kanë të vështirë të bëjnë “hajër”.Leximi është një kënaqësi, është një "hobi", të jep më shumë sesa kënaqësinë e çastit, të hap dritare që ndoshta edhe vetë universitetet nuk i hapin. Dhe unë mendoj se shumë shqiptarë e kanë kuptuar” – tha ajo.Duke folur për botimin më të fundit, Berhami u shpreh se momentalisht ishte pjesë e një botimit të një kolane feministe të autores angleze, Fay Weldon dhe shprehet se ky është i vetmi libër që mban qëndrim radikal ndaj luftës për emancipim.“”Vajzat e rritura nuk qajnë”, që është një kolanë feministe. Feministe është një pretendim i madh ta quash; nuk është kjo idea me të cilën nisi, ideja ishte të botojë letërsi për gratë, nga gratë. Kur them emancipim për gratë, nuk do të thotë se paraqet gjatë gjithë kohës luftën për emancipim, gjë që ky libër s'e bën.Ky libër është i vetmi ndoshta që ka një qëndrim radikal përsa i përket luftës për emancipim. Historia ndodh në një situatë të vërtetë në vitet ’70 apo ’71, në Londër ku kanë filluar lëvizjet feministe, paraqet jetën e një grupi prej 4 grash - të trilluara - të cilat duan të bëhen pjesë e kësaj lëvizjeje. Dhe bëhen aktiviste, duke krijuar një shtëpi botuese e cila ka si qellim botimine veprave të cilat ndihmojnë në emancipimin e grave.Pjesa e feminizmit “klasik” fillon dhe mbaron këtu, sepse autoria Fay Weldon, që është një institucion në këtë fushë të paktën në Angli, është shumë kritike ndaj kësaj, është feministe, por nuk është nga këta njerëzit bardhë e zi; nuk është nga ato militantet partiake” – shpjegoi Berhami.Berhami u shpreh se kolana është financuar nga Bashkimi Europian, ndërsa shtoi se një ndër kriteret e Komunitetit Europian është se i vlerëson librat nga cilësia e titujve, duke bërë dallimin me librat komercialë.“Një nga kriteret më të rëndësishme të komunitetit europian kur vlerëson çfarë librash duhet të financojë është cilësia e titujve. Librat me tituj super komercialë, është edhe e logjikshme, nuk pranohen të financohen, sepse nuk kanë nevojë për financim. Ndërsa një libër që presupozohet të ketë vlera shumë më të mëdha, që është një histori e bukur që të mban lidhur, herë pas here ka nevojë për ndihmë sepse edhe mesazhet që kalojnë, nuk janë detyrrimisht gjatë gjithë kohës aq popullore” – u shpreh Berhami.(Video: Intervista e plotë e Loreta Berhamit në "Mëngjes Ekspres")