Arrestimi i Fullanit, Eksperti Hoti: Bie kredibiliteti te investitorët
Tiranë- Vjedhja spektakolare e Bankës së Shqipërisë dhe prangosja e Guvernatorit, Ardian Fullani, do të kenë pasoja për ekonominë shqiptare.“Jo vetëm arrestimi por dhe gjithë ngjarja e lidhur me vjedhjen e 713 milionëve lekëve ka pasoja ekonomike dhe financiare për vendin”.Eksperti i Ekonomisë, Altin Hoti, analizon se klima e biznesit preket direkt nga ky superskandal pasi sistemi, pas kësaj ngjarje ka humbur kredibilitet në sy të investitorëve dhe vetë partnerëve ndërkombëtare.“Pasoja të drejtëpërdrejta për destabilizimin e sistemit financiar dhe bankar unë si ekspert ekonomik mendoj se nuk do të ketë.Të gjithë treguesit ekonomikë kanë qëndruar të stabilizuar. E vetmja mundësi ishte të kishte ndonjë panik bankar, por fatmirësisht nuk ndodhi. Rreziku mund të konsiderohet si i kaluar. E vetmja gjë që duhen theksuar janë efektet e tërthorta, një ndër to përmend klimën e biznesit. Roli i Guvernatorit i ngjan shumë rolit të kryefinancierit të një kompanie. Dhe mendoni një kompani ku vetë kryefinancieri “vjedh” kompaninë e tij. Kjo kompani bëhet e pabesueshme. Sistemi financiar humbet kredibilitetin në sytë e investitorëve të huaj apo partnerëve të tjerë. E ke të vështirë të përcaktosh një afat se sa do zgjasë. Por është një lajm që e mbyt atë që sapo unë thashë, prezenca aktive e FMN-së dhe marrëdhënia që ajo ka me Bankën Qëndrore. Çdo gjë e keqe ka qenë dhe ka ndodhur, çdo gjë më e mirë sesa kaq do të vijë. Prezenca e FMN është për të përmirësuar kuadrin ligjor, për të sugjeruar për ato rregullore që do ta bënin Bankën të pamundur për ndërhyrje të tilla”.Por ekspertët më shumë se për të shkuarën mendojnë për të ardhmen. Në këtë pikë, për të shmangur përsëritjen e historisë së abuzimeve brenda Bankës, Hoti mbrojti në studion e lajmeve të Ora Neës idenë se Guvernatori nuk duhet të jetë pjesë e Këshillit Mbikqyrës.“Që ligji i ri do ketë elementë që do ta përmirësojnë funksionimin e BSH doli dhe nga mbledhja mes Presidentit dhe Kryeministrit. Nuk është me rëndësi çfarë ka ndodhur por çfarë do ndodhë. Ne të ardhmen shpresojmë të bëhemi pjesë e një sistemi financiar më të moderuar si ai i BE. Në këto kushte kërkohet të ketë një qartësi dhe pastërti të gjithë funksionimit të sistemit bankar nga Banka Qëndrore. Është me shumë rëndësi që sistemi i Bankës Qëndrore të jetë i pavarur, se sa i pavarur duhet të jetë. Një nga opsionet është çështja e auditimit. Nëse do kishte ndikim të parlamentit dhe qeverisë do humbiste funksionin.Banka e Shqipërisë duhet të jetë e pavarur, por dhe auditimi duhet të jetë po kaq i pavarur. Ne kemi dëgjuar që Banka është autoriteti që paguan audituesit, në logjikë nuk përkon pasi bëhet një agjent që ka konflikt interesi për atë që shkruan. Kontrolli është një nga mënyrat më të mira të mirëmenaxhimit. Me një auditim të fortë dhe një Këshill Mbikqyrës ku Guvernatori nuk do jetë pjesë e tij kam besimin që do ketë një menaxhim shumë më të mirë të Bankës”.Në analizën e ekspertit vendimi i Këshillit Mbikqyrës ishte i duhuri, por duke iu referuar ligjeve, ai kujton se Ardian Fullani mbetet ende Guvernator deri në ditën kur ta shkarkojë Kuvendi.“Është një veprim raciannl i Këshillit Mbikqyrës, nuk ka ndodhur asgjë nga ajo që duhej të ndodhte. Ligji për BSH-në ka parapërcaktuar si duhet të sillet Këshilli mbikqyrës në raste kur Guvernatori i Bankës, në këtë rast është Fullani pasi de juro është ende, është në pamundësi fizike ose mendore por në këtë rast në pamundësi fizike për të ushtruar funksionet e tij. Kur ai ishte jashtë de juro dhe de facto kishte mundësi të ushtronte funksionet , ndërsa pas vendimit gjykatës për ta lënë pas hekurave Guvernatorin Fullani, Këshilli Mbikqyrës u mblodh dhe mori një vendim të drejtë për të mos e lënë pa udhëheqës institucionin më të rëndësishëm financiar. Ka vepruar brenda kuadratit ligjor”.Intervista e plotë e Altin Hotit në Ora News