Kopshtet, fluks i papërballueshëm, 1 dhomë 30 fëmijë
Tiranë - Ankthi i prindërve për të regjistuar fëmijën në kopësht është po aq sa edhe kushtet që gjejnë në këto institucione.Në kopështin numër 52 në Tiranë, kanë ardhur fëmijët e kopështit numër 17, sepse ky i fundit është në rikonstruksion. Kjo është përballja me fluksin dhe kushtet e vështira.
“Shikojmë kushtet, shikojmë terrenin. Kam një territor shumë të vogël, që edhe po t’i shtroi njëri pas tjetrit për gjumë, nuk kam ku t’i vë. Ambjenti më kulminant i kopshtit është kur fëmijët duan të flenë. Atëherë këndi i vendosjes së dyshekëve është ky këtu. Këto janë dyshekët , me aq sa kemi mundur që t’i rivendosim , t’i sistemojmë” – tha drejtoresha e kopshtit, Arjeta Tashi.
Por një edukatoreje i duhet që përveçse të ushqej dhe mbajë femijët, të shtrojë dhe të ngrejë këto dyshekë në dhomën e vetme për 30 fëmijë.“Fjetjen e fëmijëve ne e bëjmë kështu: heqim karriget - se këtu bëjnë mësimin fëmijët - fshij tapetin, pastaj marr dyshekët edhe i hedh këtu. Marr çarçafët, të cilët për momentin nuk i kam. I vë çarçafët që mbulohet për verë, ja palos këtu. Në dimër batanijat” – u shpreh edukatorja.
E njëjta gjë është edhe për tualetet.
Drejtoresha e kopshtit 17, Arjeta Tashi, thotë se punimet kanë kaluar afatet e kontratës.“Përgjigjia është kjo që ne kemi këtu, ndodhet në proçes gjyqësor” – deklaroi Tashi.
E pyetur nga Ora News çfarë po ndodh me kopshtin 17 dhe përse nuk është hapur, Bashkia përgjigjet se është në gjyq me firmën kontraktuale, sepse janë shkelur afatet.