"Dënim" kolektiv, u priten dritat 200 familjeve në Oblikë

Shkodër - Rreth 200 familje të fshatit Oblikë në Shkodër janë përballur këtë të enjte me ndërprerje kolektive të energjisë elektrike nga OSHEE. Ky i fundit, mbështetur edhe nga Policia, pak orë pasi Ministri i Energjitikës Damian Gjiknuri iu dha lajmin shqiptarëve se do të kishte një tjetër rritje të çmimit të energjisë, iu dha sinjalin e parë këtyre familjeve.Të revoltuar, pasi të ardhurat që kanë, nuk iu mjaftojnë as për të ushqyer familjen, banorët thonë se nuk do të rreshtin se kërkuari të drejtën e tyre në institucionet shtetërore e deri tek ministria e linjës. Njeri prej tregtarëve të fshatit tha për "Ora News" se banorët janë të ndërgjegjshëm që energjia duhet paguar, por ata nuk kanë mundësi përderisa jetojnë me ndihmë ekonomike. Ai tregoi fletoret e shënimeve, ku sipas tij, borxhlinjtë ishin të pamatë dh kërkoi që shteti të ndëhynte, pasi edhe ai vetë që kishte paguar, nuk kishte energji dhe produktet në frigorifer, si akulloret, nuk do mund të ishin më të konsumueshëm.Për drejtorin e Operatorit të Shpërndarjes Shkodër, Andi Hallunin, këto aksione do të vijojnë, pasi familjet nuk paguajnë energjinë prej 23 vjetësh. Ai u ndal edhe tek situata e krijuar 48 orët e fundit në qytetin e Shkodrës, ku nga mungesa e energjisë, qyteti qëndroi për 8 orë pa ujë të pijshëm.Aksionet e OSHEE me dënime kolektive të qytetarëve, pa marrë parasysh familjet që e paguajnë atë, ka krijuar shpesh jo pak probleme në qarkun e Shkodrës. Siç duket, kjo "telenovelë" do të vazhdojë për sa kohë shteti nuk është në gjendje të veprojë sipas standarteve, duke ndëshkuar debitorët dhe duke mos ia faturuar “defektet e veta”, klientëve të rregullt.ar.sh/Oranews.tv