Ndarja e mandateve sipas 2009, Bogdani: Nuk ndikon në rezultatin zgjedhor
Zbatimi i të njëjtës formulë si në 2009 për rishpërndarjen e mandateve nuk ndikon në rezultatin e zgjedhjeve parlamentare të 23 qershorit. Kështu ka deklaruar në intervistën e mbrëmjes në RTV Ora News deputeti demokrat Gerti Bogdani teksa ka komentuar vendimin e sotëm të Komisionit të ligjeve,i cili vendosi vetëm me votat e shumicës që Kuvendi të ndajë mandatet sipas 2009. Pavarësisht kësaj, Bogdani e ka vlerësuar këtë hap si të vetmen zgjidhje pas ezaurimit të të gjitha hallkave nëpër të cilat duhet të kalonte kjo cështje.“Në momentin që PD propozon dicka opozita kundërshton pa e parë. Sot u la që do jetë e njëjta rishpërndarje e 2009. Gjithmonë PD ka qenë e hapur ndaj propozimeve të opozitës. Nuk besoj se kjo ndikon në rezultatin, nëse vlersojnë punën e kësaj mazhorance shqiparët do ja japin votën për një mandat të tretë. Rishpërndarja e mandateve në fund të ditës është një vendimarrje matematike dhe jo politike. Ky proces ka kaluar nëpër të gjitha hallkat derisa sa ka ardhur në këtë pikë, pra në parlament, i cili është organi më i lartë legjislativ” tha ai.Dhe pse ende nuk mund të flitet për diskutime të emrave të listave ne PD, të paktën sic pohon vetë Bogdani, kjo parti i ka ndezur motorët e fushatës elektorale dhe është gati për zgjedhje. Nëse do të ketë një kauzë të cilës do ti mëshohet fort gjatë betejës elektorale, Bogdani shprehet se ashtu si në zgjedhjet e mëparshme nuk do të jetë një por disa objektiva kryesorë.“PD është gati për zgjedhje. Forumi rinor është një nga struktuarat më aktive, forumi i gruas po ashtu.Forumi rinor ka treguar se është gjithmonë i aftë për të ndjekur ritmin. PD është gati për të shkuar në zgjedhje, gjërat që sot kanë ndryshuar në politikën shqiptare, ka një ndryshim thelbësor, është politika e premtimeve të mbajtura. Programi i PD është një program i implementuar, i fjalës së mbajtur. Sa i përket vizionit dhe programit jam i sigurt se edhe ky program do të jetë i mirë. Korrupsioni vazhdon të jetë kalë beteje edhe për këto zgjedhje. Ka pasur shumë kuaj beteje në zgjedhjet e kaluara, të tillë do jenë edhe në 2013. Piketat do shpalosen në muajt dhe javët në vazhdim, jam i sigurt se do të kenë në fokus qytetarin” theksoi Bogdani.Sa i përket koalicioneve dhe tendencës për zgjerim majtas, Bogdani deklaron se ideja e deklaratës së Kryeministrit konsiston në krijimin e një koalicioni sa më të gjerë, cfarë sipas tij PD ka treguar se di ta bëjë më së miri, për më tepër kur përballë ka një kundërshtar që sa vjen e rrudhet.Një betejë e fortë elektorale jo vetëm programore por edhe një garë te fortë mes të rinjve pritet të kemi në zgjedhjet 2013, nisur edhe nga përqindja e madhe që zënë në radhën e votuesve. Vetë deputeti Bogdani i vlerësoi të rinjtë demokratë si pjesë thelbësore të fushatës.“23 qershori është dita e të rinjve, do jenë pjesë e rëndësihhme në këto zgjedhje, janë ata që ndjejnë më shumë cështjen e integrimit, janë ata që do japin përgjigjen më të mirë për zotin. Rama lidhur me bllokimin e tre ligjeve në Kuvend. Ata kanë treguar veten se janë të rinj me potencialë. Do jetë një garë jo vetëm mes të rinjve, është ballafaqim i mentaliteteve të reja dhe atyre të vjetra. Rama hyn tek mentalitetet e vjetra, duke e parë në mënyrë virtuale dhe jo me këmbë në tokë realitetin. Zgjedhjet e 2009, ato të 2005, 2011 e treguan shumë mirë se ku shkojnë të rinjtë shqiptarë. Të rinjtë janë një përqindje e lartë e votuesve, sidomos votuesit për herë të parë. Rama kujtohet për të rinjtë vetëm në kohë fushatash elektorale. Fokusi tek të rinjtë nuk duhet të kthehet vetëm në fushatë, duhet të jetë gjatë gjithë kohës. Besoj se edhe këtu ka një dallim thelbësor, ne kemi treguar se të rinjtë janë prioritet i vazhdueshëm i yni. PD sot e ka krijuar ambjentin për të rinjtë, kjo falë një vizioni të Kryeministrit Berisha. Ne në foum përpiqemi tu krijojmë mundësi të barabarta të rinjve. Me rëndësi është se ky proces ka filluar dhe vazhdon” përfundoi ai.