Dita e Butrintit, promovohet siti arkeologjik dhe Parku Kombëtar
Sarandë-Një tjetër festë që synohet të kthehet në traditë po i shtohet Sarandës turistike, Dita e Butrintit. Për rreth dy orë rresht tek sheshi tek Limani u zhvilluan një sërë aktivitetesh të larmishme që kishin si qëllim promovimn e sitit arkeologjik dhe Parkut Kombëtar të Butrintit, veprimtari këto të organizuara në bashkëpunim me Bashkinë e Sarandës.Synimet konkrete të Ditës së Butrintit janë: shpalljen e muajit të trashëgimisë kulturore për rajonin e Sarandës që kulmon me Ditën Kombëtare të Trashëgimisë Kulturore që është data 29 shtator.Prezantimin e dy iniciativave të Zyrës së Administrimit dhe Koordinimit Butrint: Bëhu mik i Butrintit dhe Bëhu partner i Butrintit, iniciativa këto që ftojnë banorë vendas, vizitorë dhe individë të tjerë që në një mënyrë apo tjetër vijnë në kontakt me Butrintin dhe dëshirojnë të kontribuojnë për ruajtjen, konservimin dhe promovimin e kësaj vlere të rrallë me rrezatim kombëtar dhe ndërkombëtar.Pjese e veprimtarive Dita e Butrintit ishin teatri i rrugës me pjesë nga antikiteti i lashtë, statujat e gjalla (njerëz statuja) që lidhnin elementin e parë me elementin e tretë - koncerti i violinave dhe pianos, ekspozitë fotografike me pamje nga Butrinti dhe Saranda dhe shitje e suvenireve nga artizanët e Butrintit.Drejtori i Parkut të Butrintit, Gjergji Mano, theksoi që përpos punës së stafit që administron Butrintin është e rëndësishme që çdo qytetar dhe vizitor të kontribuojë për ruajtjen dhe promovimin e tij, prandaj dhe inicohet nisma e miqve dhe partnerëve të Butrintit me ndihmën edhe të rrjeteve sociale për të krijuar një rrjet të madh individësh dhe organizatash në të gjithë botën për mbështetjen e Parkut Kombëtar të Butrintit.Gjatë muajit të Trashëgimisë Kulturore do të ketë një kalendar aktivitetesh kryesisht me të rinj nga të gjitha shkollat e rretheve Sarandë dhe Delvinë për njohjen me Parkun, historinë që ai rrok si dhe biodiversitetin që ai ofron. Këto aktivitete do të kulmojnë në Ditën e Trashëgimisë Kulturore kur fëmijë të përzgjedhur nga te gjitha shkollat do të vizitojnë Butrintin dhe do të bëjnë guida mësimore në të gjitha monumentet dhe bukurite natyrore në mjediset e parkut.Kryetari i Bashkisë së Sarandës, Stefan Çipa, vlerësoi këtë event dhe premtoi që ky bashkëpunim të kthehet në traditë të përvitshme. Ne mbyllje të një sezoni të suksesshëm, tha ai, ky aktivitet vjen si qershia mbi tortë, pasi rajoni i Sarandës nuk mund t’u japë kuptim pushimeve të vizitorëve të shumtë pa një ndalesë në Parkun Kombëtar të Butrintit.Veprimtaritë kanë vijuar deri vonë dhe janë ndjekur nga shumë shikues.