Zona e ish Kënetës në Durrës rikthehet në moçalishte

Durrës - Në zonën më të madhe informale në Durrës, në atë të ish Kënetës, rreth 40 mijë banorë jetojnë në kushte aspak normale higjienike. Kanalet e ujërave të zeza kanë prekur pothuaj të gjithe territorin, ndërsa popullata është e detyruar të jetojë në kushte izolimi, me dyer dhe dritare të mbyllura.Dy dekada nuk kanë mjaftuar për të pastruar kanalet nga ujërat e ndotur të zonës së ish-Kënetës, në Durrës. Banorët i tremben epidemisë, pasi kjo zonë është kthyer në një moçal të rrezikshëm dhe është e mbushur me parazitë.Vetëm në dy muajt e fundit 30 persona kërkuan ndihmë mjekësore në urgjencën e spitalit të Durrësit, të gjithë me infeksion në lëkurë apo simptoma të ngjashme, si pasojë e ujërave të ndotur.Prej disa vitesh Bashkia e Durrësit ka hartuar një projekt për mbylljen e këtyre kanaleve dhe kthimin e tyre në rrugë dytësore apo në hapësira të gjelbërta, por çdo gjë ka mbetur vetëm në letër. Banorë të zonës së ish Kënetës në dimër përballen me përmbytjet, ndërsa në vere me infeksionet.