Fluks urgjencash në Gjirokastër, Brahimi: Rreziku nga Ebola, minimal
Gjirokastër- Pranë spitalit rajonal të Gjirokastrës marrin shërbimin mjekësor çdo ditë, më shumë se 50 pacientë nga të gjitha rrethet e jugut.Sipas shefit të epidemiologjisë, Xhelo Brahimi, ka patur një rritje të rasteve të pacientëve që paraqiten për të marrë ndihmën e shpejtë mjekësore në spitalin e Gjirokastrës si pasojë e temperaturave të larta të ditëve të fundit, ku moshat më të prekura janë kryesisht fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa situata epidemiologjike në qarkun Gjirokastër krahasuar me një vit më parë paraqitet me një rritje të lehtë.Në lidhje me rrezikun e virusit Ebola, Brahimi u shpreh se janë nën kontroll pikat kufitare si ajo e Kakavijës dhe Tre urave në Përmet, ndërsa nga shërbimi i epidemiologjisë neDrejtorinë e Shëndetit Publik janë shpërndarë edhe fletëpalosje në këto pika kufitare. Sipas Brahimit rreziku i infektimit nga personat që hyjnë nga këto pika kufitare është minimal.Spitali rajonal “Omer Nishani” në Gjirokastër pret pacientë nga i gjithë jugu i vendit. Me kapacitet rreth 180 shtretër dhe 37 mjekë me kohë të plotë, ky institucion ka përballuar në 80% të rasteve, të gjitha nevojat për shërbime mjekësore në rajon.