Korçë, udhëtonin me motor, nënë e bir përplasen me zetorin, vdes gruaja

Korçë- Një aksident i rëndë me pasojë një të vdekur dhe një të plagosur ka ndodhur në orët e pasdites së sotme në Korçë.  Korrespondenti ynë, Artin Halili, raporton se ngjarja është regjistruar në fshatin Vloçisht, ku nënë e bir, Gjinovefa dhe Gesti Kambo, ndërsa udhëtonin me motor janë përplasur me një zetor.Mësohet se motori që drejtohej nga 23-vjeçari e ka goditur zetorin në pjesën e pasme të tij dhe më pas ka humbur kontrollin duke u rrëzuar. Për pasojë djali dhe e ëma e tij kanë mbëtur të plagosur.Ata janë transportuar me urgjencë në spitalin rajonal për marrjen e ndihmës mjekësore, por Gjinovefa për shkak të plagëve të rënda, nuk ka mundur të mbijetojë duke ndërruar jetë në spital.Burime nga bluzat e bardha bëjnë me dije se edhe i riu ndodhet në gjendje të rëndë për jetën. Policia e mbërritur në vendin e ngjarjes ka bërë shoqërimin e drejtuesit të mjetit bujqësor, Romeo Agushi, ndërsa po heton për zbardhjen e plotë të shkaqeve të aksidentit.