Situatë e tensionuar në Preshevë, Mustafa: Lapidari i UÇPMB-së nuk do të largohet
Situata krijuar për largimin e lapidarit të UÇPMB-s në qëndër të Preshevës vijon të mbetet kritike vetëm dy ditë para 17 janarit kur qeveria serbe ka deklaruar se do të heq me forcë lapidarian e UÇPMB-s.Kryetari i Komunës së Preshevës, Ragmi Mustafa tha se në Preshevë është duke mbizotëruar një situatë jo e dëshiruar, pas kërcënimeve të vazhdueshme të qeveritareve serb për largimin e këtij lapidari.Mustafa theksoi se vendimi që liderët politik të Preshevës, Medvegjes dhe Bujanovcit kanë marrë për të mos larguar këtë lapidar, do të vazhdoj të qëndroj deri në fund."Ne kemi marrë një vendim për të mos e larguar lapidarin, këtu populli shqiptar, ka vendosur që të mos e largoj dhe ne nuk do t'i largojmë në asnjë mënyrë", ka thënë Mustafa.Sipas tij, largimi i këtij lapidari me forcë, siç ka paralajmëruar qeveria serbe do të tensionoj jashtëzakonisht situatën në këtë pjesë. E ndërsa nuk jep asnjë parashikim se çfarë do të ndodh por thotë se largimi i lapidarit me forcë mund të qoj në një përshkallëzim të situatës në Luginë por edhe më gjerë.Megjithatë Kryetari i Komunës se Preshevës theksoi se nuk ka ndonjë komunikim të drejtpërdrejt me zyrtaret serbë dhe i gjithë komunikimi realizohet përmes mediave elektronike.I pari i Preshevës, Ragmi Mustafa pohoi se nëse kjo përmendore largohet më forcë, ai së bashku me gjithë liderët politik do të rishikojë mundësinë e angazhimit në politik.“Megjithëse komunitet ndërkomëtare janë të informuara për cështjen deri më tani nuk është bërë asnjë lëvizje” tha Mustafa.Pas përurimit të lapidarit, i cili përmban emrat e 27 dëshmorëve të UÇPMB- së, kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç ka deklaruar se ky lapidar duhet të largohet, pasi paraqet një provokim, kurse ditëve të fundit prezenca ushtarake dhe e xhandarmërisë serbe është shtuar në Luginën e Preshevës.