Synimet e Kosovës nga dialogu me Serbinë
Ndërsa e ndajnë dy ditë nga takimi me kryeministrin e Serbisë Ivica Daciç,kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi i ka caktuar ato që pret nga ky takim.Në një njoftim të Qeverisë së Republikës së Kosovës theksohet se bisedimet po zhvilllohen në bazë të Rezolutës së Kuvendit të Republikës së Kosovës, për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve dhe në bazë të planit të Ahtisarit.Qeveria e Kosovës thekson se në takimin e radhës nuk do të bisedojë mes të tjerash për statusin e Kosovës apo pavarësinë e saj, tërësinë territoriale dhe organizimin e brendshëm.Synimet nga ky dialog, sipas njoftimit të qeverisë janë mes të tjerash fuqizimi i strukturave qeverisëse në veri të Kosovës, shpërbërja e strukturave të sigurisë së Serbisë, mbajtja e zgjedhjeve të lira, krijimi i komunës së Mitrovicës veriore dhe arritja e marrëveshjes ndërkombëtarisht të detyrueshme për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, e cila do të garantohej prej BE-së, SHBA-së dhe shteteve të Quintit. Takimi i radhës ndërmjet dy kryeministrave, Thaçi dhe Daçiç, mbahet pas një mori zhvillimesh politike nga pala serbe.Njëra ndër to është edhe miratimi i një Rezolute për Kosovën nga Parlamenti i Serbisë, që paraqet një plan se si do të jetë qasja serbe ndaj Kosovës.Ndërkohë, përfaqësues institucionalë në Kosovë, këtë rezolutë e kanë cilësuar si të parealizueshme dhe si një veprim politik, i cili do të përdoret vetëm për konsum brenda shtetit serb.