Largohet Bedri Hamza, “siguron” post më afatgjatë
Ministri i financave, Bedri Hamza, i ka paraqitur dorëheqje Kryeministrit të Kosovës, Hashim Thaçit. Kjo është konfirmuar edhe nga vetë Ministria e financave, ndërsa arsyet e saja thuhet të jenë krejtësisht për motive familjare dhe të karrierës profesionale.Sipas një komunikate, Ministri Hamza, në letrën e dorëheqjes e ka falënderuar kryeministrin Hashim Thaçi për bashkëpunim dhe mbështetje të vazhdueshme që ka pasur si ministër gjatë kohës që ka punuar me të.“Ministri Hamza njofton opinionin publik se krahas vështirësive, puna në Ministrinë e Financave është kurorëzuar me suksese të shumta, në radhë të parë sa i përket ruajtjes së stabilitetit makro-fiskal dhe përmbushjes së detyrimeve nga Programi Stand-by që Kosova ka me FMN-në.Përmbushja e këtyre detyrimeve jo vetëm që ka mundësuar lëvrimin e fondeve nga Banka Botërore dhe FMN-ja, por edhe e ka bërë që Kosova të jetë vendi më i suksesshëm në rajon sa i përket qëndrueshmërisë makro-fiskale dhe rritjes ekonomike”, thuhet në komunikatë në të cilën theksohet se meqë e gjithë kjo konsiderohet si përmbyllje e një cikli në karrierën e tij, në këtë post, Hamza synon të kërkojë më tej sfida të reja profesionale.Në komunikatë, gjithashtu, thuhet se arsyet e dorëheqjes së Hamzës janë krejtësisht për motive familjare dhe të karrierës personale.Ndërkaq mediat kosovare shkruajnë se në largimin e Ministrit të Financave duket se kanë ndikuar dy faktorë.E para ka të bëjë më gjendjen e rëndë ekonomike në vend e cila çdo ditë e më shumë është duke u rënduar dhe një përgjegjësi të madhe rëndon edhe mbi ministrin Hamza.E dyta ka të bëjë me deklaratën e Kryeministrit Thaçi dhënë në intervistat e fundvitit se nuk do të jetë më kryeministër pas këtij mandati. Kjo si duket është duke i shtyrë edhe ministrat e zv. ministrat që të sigurojnë një vend pune më afatgjatë.Po këto burime bëjnë të ditur se ashtu siç e kishte siguruar rektori i tanishëm, Ibrahim Gashi, pozitën para se të jap dorëheqje nga zv. ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, edhe ministri Bedri Hamza ka marrë premtime të mëdha që të zërë postin e guvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës, konkursi për të cilin tashmë është i hapur. Aktualisht këtë pozicion e ushtron Gani Gërguri.