Sequi: KQZ-ja të jetë e pavarur nga presioni dhe ndërhyrjet politike

Shtohen apelet e ndërkombëtarëve që pavarësi në vendimarrjen e Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve. Pas thirrjes së ambasadorit amerikan Aleksandër Arvizu, është ambasadori i BE-së ,Ettore Sequi i cili ka kërkuar që KQZ-ja  të vendosë larg çdo presioni dhe ndërhyrje politike.Përballë një trupe zgjedhore që deri tani është identifikuar nga mungesa e kompromisit dhe tensionit politik ambasadori Sequi kujtoi se KQZ ka rol kyç në zgjedhje, praandaj vendimet duhet të merren në bazë të konsensusit."Ne mendojmë që përgatitja e zgjedhjeve është e rëndësishme që të kemi një cilësi të mirë. Është e qartë që KQZ ka rol kyc në përgatitjen e zgjedhjeve. Vendimet e KQZ janë të rëndësishme për procesin. Në shumë raste vendimet kërkojnë dhe e kanë të mirëqenë konsensusin që duhet të ketë KQZ dhe për rolin e vet KQZ në këndvështrimin e BE duhet të mos ndikohet nga ndonjë lloj presioni apo ndërhyrjeje politike. Ne kemi besim që KQZ në mënyrën e duhur do të marrë masat për përgatitjen e duhur të zgjedhjeve, dhe në mënyrë që të kemi zgjedhje të lira e të ndershme sipas standardeve ndërkombëtare e të BE. BE beson që Shqipëria meriton pikërisht këtë" tha ambasadori.Në kushtet kur KQZ-ja ka marrë vëmendjen kryesore të politikës dhe 3 ligjet e vëna kusht për statusin lihen larg axhendës së përditshme të palëve, ambasadori Sequi preferoi të mos bëjë asnjë apel, por u limitua duke thënë se : "Nuk do doja të bëja apel, por të them atë që tha komisoneri Fule në tetor, që vetëm pas miratimit të tre ligjeve por edhe pasi të jetë bërë progres në luftën ndaj korrupsionit dhe krimit të organizuar, KE do ti dërgojë raportin shteteve anëtare. Kjo nuk është thirrje, por fakte që bazohen tek fjalët e komisionerit Fyle”.Deklarata e ambasadorit të Bashkimit Europian Ettore Sequi u bë pas konferencës për lirinë e medias dhe lirinë e fjalës të organizuar nga Bashkimi Europian dhe Ministria e Integrimit.