21 vjet FRESSH, Rama: Ne do qeverisim me forcën e shembullit, rilindje me 23 qershor

Në një ndërthurje elektorale me nota artistike, FRESSH ka festuar 21 vjetorin e krijimit duke startuar në një farë mënyrE edhe betejen për zgjedhjet e 23 qershorit për socialistët. Me mungesën e themeluesit Ilir Meta, por me entuziazmin e ftesës për të fituar zgjedhjet e ardhshme, FRESSH ka mbledhur drejtuesit kryesorë të së majtës shqiptare duke u vënë në pararojën e mbrojtjes së votës me 23 qershor, siç tha kryeministri i dalë prej të rinjve Pandeli Majko dhe deputeti Saimir Tahiri.“Duhet ta kthejmë vitin 2013 në vitin e ndryshimit. Ngrihuni në këmbë dhe merrni në dorë fatin e jetës tuaj. Më 23 qershor do të fitojmë me PS dhe Edi Ramën. Premtojini njëri-tjetrit që nuk do të lejoni të vihet dorë mbi vota”, tha Tahiri.Duke komunikuar me të rinjtë e këtij forumi, kryetari i PS, Edi Rama ka përsëritur edhe njëherë akuzat ndaj rivalit të tij duke shprehur besimin se rinia do jetë forca e madhe për rrëzimin e Berishës.“Unë sot jam edhe më i bindur se një vit më parë se së bashku jo vetëm do fitojmë, por me fitoren ne do rilindim Shqipërinë. Rilindja jonë do sjellë fundin e mungesës së lirisë së zgjedhjeve, shoqërisë dhe individit. Do sjellë siguri për njeriun, pronën, shëndetin dhe atdheun. Do sjellim lirinë që u mungon studentëve, mësuesve, prindërve, shoqërisë e individit. Lirinë që i mungon konkurrencës për një degë studimi, për një bursë në universitet, apo për një biznes. Rilindja jonë do sjellë fundin e mungesës së lirisë së zgjedhjeve. Do sjellim siguri për njeriun, pronën, shëndetin dhe atdheun”, ka nënvizuar Rama.Kryesocialisti ka folur edhe për pjesët e programit, kur përtej premtimeve për taksat dhe zhvillimin ekonomik në 4 vitet e ardhshme, i ka rezervuar shumë fjalë projekteve për rininë ku punësimi i tyre ka qënë thembra e Akilit. 21 vjetori i FRESSH është përshendetur nga shumë pjesmarrës ku nuk kanë munguar as elementët e spektaklit ku protagonistë kanë qenë aktorë humori e këngëtarë të njohur.