Vdekja e 36-vjeçares në Kuçovë, familjarët padisin mjekët

Familjarët e 36-vjeçares Elvira Leshi e cila ndërroi jetë 3-ditë më parë në spitalin e Kuçovës kanë akuzuar mjekët për neglizhencë ndërsa kanë ngritur edhe një padi në Prokurorinë e Beratit ndaj tyre.Bashkëshorti i të ndjerës, nënës së 4 fëmijëve,Fatmir Leshi ka deklaruar se bashkëshortja e tij nuk vuante nga asnjë lloj sëmundje dhe se në spital ka mbërritur vetëm me dhimbje në kraharor.Sipas tij mjekët e spitalit të Kuçovës pasi i kanë bërë 2 gjilpëra 36-vjeçares e kanë dërguar atë drejt spitalit të Beratit por pasi ajo është vizituar këta të fundit e dërguan sërish me ambulancë për në spitalin e Kuçovës, duke e deklaruar si një rast të thjeshtë e të pakomplikuar.Por me të mbërritur në spitalin e Kuçovës 36-vjeçarja nga fshati Velagosht i komunës Perondi, Elvira Leshi ka ndërruar jetë.Kjo vdekje e papritur dhe e menjëhershme, pa ju shpjeguar familjarëve diagnoza e sëmundjes së gruas dhe shkaqet,e vdekjes së saj, ka bërë që familjarët të kërkojnë nga policia ekzaminimin mjeko-ligjor të kufomës.Ndërkohë familjarët e 36-vjeçares kanë bërë kallzimin penal për mjekët dhe neglizhencën dhe pakujdesi, ndërkohë që burime nga organi i akuzës bëjnë me dije se për këtë çështje po hetohet.