Gurry: Shqipëria, arritje në përhapjen e inovacionit
Drejtori i Përgjithshëm i Organizatës Botërore të Pronësisë Intelektuale (WIPO), Francis Gurry vlerësoi strategjinë e qeverisë shqiptare në lidhje me pronësinë intelektuale 2010-2015.Në një takim me kryeministrin Sali Berisha, Gyrry theksoi se kjo strategji adreson mekanizmat e duhur për të ndihmuar zhvillimin e vendit, për të mbështetur inovacionin, krijueshmërinë dhe inkurajon sipërmarrësit dhe të talentuarit për të bërë realitet idetë e tyre dhe për t`i mbrojtur ato.Sipas tij, Shqipëria shquhet dhe përgëzohet për arritjet e saj në vitet e fundit, në mbështetjen dhe përhapjen e inovacionit në procesin e edukimit dhe arsimimit. Këto arritje duhen zhvilluar më tej, me të njëjtat ritme dhe përkushtimin e deritanishëm.Kryeministri Berisha theksoi se qeveria ka inkurajuar dhe do të inkurajojë inovacionin, sipërmarrjen dhe krijimtarinë, duke garantuar në të njëjtën kohë mbrojtjen e tyre, si element të rëndësishëm që i nxisin dhe i çojnë përpara këto pronësi intelektuale shumë të vyera.“Bashkëpunimi i qeverisë sime dhe i drejtorisë përkatëse me WIPO-n është shumë i rëndësishëm për ne, sepse ka një rol të veçantë në nxitjen dhe mbrojtjen e faktorëve që çojnë përpara zhvillimet demokratike dhe parandalon praktikat jo korrekte dhe jo ligjore që shfaqen jo rrallë” theksoi Berisha.Ndërsa Gurry theksoi se kjo është një çështje delikate dhe e vështirë për t`u adresuar në mbarë botën, sepse pronësia intelektuale, duke qenë abstrakte, mbart me vete një sërë problemesh në të kuptuar e respektuar, prandaj qëllimi i organizatës është të mbështesë të gjitha ato zhvillime të lidhura me revolucionin dixhital, demokratizimin e njohurive që mundësojnë të ushtruarit e të drejtave të kësaj pronësie dhe mbrojtjes së saj.Kryeministri Berisha, duke pohuar faktin se njohja dhe mbrojtja e pronësisë intelektuale kalon në një proces të gjatë dhe të vështirë, por që është mbajtur dhe do të mbahet në qendër të vëmendjes së qeverisë së tij, nëpërmjet ministrisë së kulturës dhe Drejtorisë së Patentave dhe Markave dhe hallkave të tjera mbështetëse të qeverisë.Kryeministri ekspozoi strategjinë dhe reformat e qeverisë së tij në fushën e bujqësisë, me qenë se kjo fushë është për momentin në qendër të vëmendjes së kësaj organizate për sa i përket markave dhe brand-it të produkteve të saj që eksportohen.“Bashkëpunimi në këtë drejtim, theksoi Kryeministri, do të sjellë fryte të prekshme, jo vetëm për faktin se 46 për qind e popullsisë shqiptare jeton në fshat, por edhe sepse ky sektor ofron kapacitete të mëdha në shumë drejtime si; në pemëtari, drurë arrorë e frutorë. Gjithashtu, ka edhe një kontribut të konsiderueshëm në GDP, nëpërmjet industrive krijuese. Mbështetja e dhënë nga organizata juaj ka fryte të dukshme, të cilat duhen shumëfishuar në të ardhmen, falë thellimit të bashkëpunimit” theksoi Kryeministri.