Rihapen hetimet për rastin "Litvinenko"
Një hetim i ri publik do të nisë mbi vdekjen e disidentit rus, Alexander Litvinenko. Lajmi u publikua nga Sekretarja e Punëve të Brendshme të Britanisë, Theresa May. Litvinenko, një ish-oficer i KGB-së, vdiq në vitin 2006 në një spital të Londrës pasi dyshohet se u helmua me lëndën radioaktive Polonium 2010. Hetimet e reja pritet të verifikojnë nëse shteti rus ishte prapa kësaj vrasjeje. E veja e Litvinenkos, Marina Litvinenko tha se ndihej e lumtur dhe e çliruar nga ky lajm, duke theksuar se më në fund e vërteta do të dalë në dritë.Sekretarja May e njoftoi vendimin me publikimin e një deklaratë të shkruar në Parlamentin britanik. "Shpresoj që ky njoftim të ngushëllojë sado pak të venë e Litvinenkos", tha zyrtarja e lartë e qeverisë. Njoftimi vjen pasi qeveria më parë u kishte rezistuar thirrjeve për një hetim publik, duke thënë se më parë duhej parë se çfarë do të nxirrte hetimi gjyqësor. Gjithësesi, në vitin 2013 një komision vendosi se një hetim publik, që do të kishte më shumë kompetenca, duhej ngritur për të përcaktuar se si vdiq zoti Litvinenko.Megjithatë, ministrat refuzuan të ndërmerrnin një nismë të tillë, gjë që solli një sfidë gjyqësore të hapur nga bashkëshortja e Litvinenko, Marina. Ajo tha se, vetëm një hetim publik do të mund të zbulonte rolin e supozuar të shtetit rus në vdekjen e të shoqit në vitin 2006, nga helmi radioaktiv. Në shkurt, Gjykata e Lartë e Mbretërisë së Bashkuar deklaroi se Ministria e Brendshme kishte gabuar me vendimin për të përjashtuar hetimin publik para zbardhjes së rezultateve të hetimit gjyqësor.Ish spiuni rus, Aleksander Litvinenko, ndërroi jetë në moshën 43 vjeçare pasi u helmua me polonium radioaktiv teksa po pinte çaj me dy rusë të tjerë, një prej tyre ish oficer i KGB-së ruse, në një hotel në Londër në 2006-ën. Familja e tij beson se ai punonte për agjencinë sekrete MI6 në kohën kur vdiq dhe dyshon se ai është vrarë me urdhër të Kremlinit.Ngjarja ndodhi në 1 nëntor të 2006, pas 4 ditësh me të vjella dhe dhimbje, ai u shtrua në spital, ku ndërroi jetë pas 22 ditësh. Në janar të këtij viti, pas një beteja të gjatë me drejtësinë, Marina, bashkëshortja e tij, kërkoi rihapjen e hetimeve. m.p/Oranews.tv