Festa Kombëtare e Francës, Nishani uron Hollande, Kodheli në paradën ushtarake në Paris

Tiranë- Kreu i Shtetit shqiptar, Bujar Nishani ka uruar, nëpërmjet një mesazhi, Presidentin francez François Hollande me rastin e Festës Kombëtare të Republikës Franceze. Në mesazhin e urimit, Nishani nënvizon marrëdhëniet e mira mes dy vendeve, ndërsa shpreh vullnetin për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të tyre.“Festa Kombëtare e Republikës Franceze më jep rastin që në emër të popullit shqiptar dhe në emrin tim personal, t’ju përcjell Juve dhe popullit mik francez, urimet më të sinqerta e të përzemërta!Më lejoni, Shkëlqesi, të nënvizoj me kënaqësi marrëdhëniet shumë të mira midis Shqipërisë dhe Francës, një vend partner shumë i rëndësishëm i vendit tonë, si edhe t’ju rikonfirmoj vullnetin për forcimin dhe zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve shumëplanëshe dhe në fusha të interesit reciprok për dy popujt tanë.Ne çmojmë lart dhe shprehim mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të Francës në procesin euro-integrues në të cilin vendi im është angazhuar, mbështetje që u rikonfirmua edhe së fundmi me marrjen nga Shqipëria të statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian.Duke ju siguruar për ndjenjat e miqësisë së thellë të popullit shqiptar, ju lutem pranoni, Shkëlqesia Juaj, shprehjen e konsideratës sime më të lartë!” – shkruhet në mesazhin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë.Data 14 Korrik qe shënon festën kombëtare të Francës, simbolizon triumfin e Revolucionit Francez mbi monarkinë dhe lidhet me marrjen e kështjellës së Bastijes. Kjo ditë e shënuar për popullin francez, u vendos të përkujtohet në vitin 1880.Data 14 korrik 1789 festohet me entuziazëm të madh nga francezët, të cilët organizojnë që në datën 13 korrik spektakle dhe ballo popullore, duke vazhduar në datë 14 korrik me paradën ushtarake tradicionale në prani të Presidentit të Republikës.Për festimet e 100-vjetorit të Luftës së Parë Botërore, për në Francë kanë udhëtuar 80 përfaqësues nga e gjithë bota. Në paradën ushtarake ‘Një ushtri e fuqishme dhe moderne’, do të parakalojë edhe flamuri shqiptar, ku Shqipëria përfaqësohet në këtë paradë ushtarake nga Ministrja e Mbrojtjes, Mimi Kodheli.