Dhuna në Maqedoni, ndërkombëtarët thirrje për qetësi dhe vetëpërmbajtje

Maqedoni- Përfaqësuesit ndërkombëtar kanë bërë thirrje për qetësi dhe qytetarët të përmbahen nga dhuna në Maqedoni. Kjo thirrje është bërë nga ambasada e SHBA-ve, delegacioni i Bashkimit Evropian, OSBE dhe misioni i NATO-s në Shkup, pas protestave të dhunshme në Shkup, kundër dënimit të gjashtë shqiptarëve me burg të përjetshëm për vrasjen e pesëfishtë në Smilkovc të Shkupit që ndodhi më 12 prill 2012.“I bëjmë thirrje qytetarëve dhe liderëve të shtetit që të bashkohen dhe në frymën e dialogut konstruktiv t`i adresohen çështjeve që minojnë mirëkuptimin reciprok dhe marrëdhëniet ndëretnike”, thuhet në komunikatën e përbashkët të lëshuar të premten në mbrëmje.Në deklaratë thuhet se të gjithë qytetarët kanë të drejtë të protestojnë dhe të shprehin pikëpamejet e tyre në mënyrë paqësore, por jo edhe të përfshihen në akte destruktive dhe të dhunshme.“Derisa çdo incident ndëretnik apo tentim për të nxitur jotolerancë paraqet mundësi për politizimin apo shfrytëzimin e situatës për qëllime personale apo politike, ajo gjithashtu paraqet edhe mundësi për hapjen e dialogut dhe për forcimin e lidhjeve ndërmjet bashkësive të ndryshme ndëretnike. Kjo është një mundësi që liderët të rreshtohen në emrin e një shteti të integruar që plotësisht respekton diversitetin”, thuhet në deklaratën e përbashkët.Njëzet persona mes të cilëve edhe policë janë plagosur gjatë ditës së djeshme nga përleshjet mes policisë dhe protestuesve në Shkup.Protestat u zhvilluan në shenjë pakënaqësie ndaj dënimit me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve për rastin “Monstra”./INA/B. Kuçana/Oranews.tv