Bushati: Ballkani Perëndimor, nevojë për një qartësi gjeostrategjike
Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati ka deklaruar në Forumin e përvitshëm kroat me temë “Integrimi në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor; Shteti i së Drejtës”, se Ballkani Perëndimor ka nevojë për një qartësi gjeostrategjike.“Përtej perspektivës, vendet e Ballkanit perëndimor, kanë nevojë për një qartësi gjeo-strategjike të BE-së, sidomos në një kohë kur periferia e Evropës sfidohet nga konflikte dhe sisteme politiko-ekonomike të pa-stabilizuara”, u shpreh Ministri Bushati.Më tej ninistri theksoi se, “përtej paqes dhe stabilitetit, që mbeten objektiva parësorë, orientimet e Bashkimit Evropian për rajonin e Ballkanit Perëndimor duhet tashmë të përqendrohen mbi mekanizmat e zhvillimit ekonomik dhe të ndërlidhjes së vendeve të rajonit midis tyre dhe me BE-në”.Ministra dhe zyrtarë të lartë të rajonit, të BE-së dhe të vendeve anëtare, si dhe të ftuar nga SHBA, Federata Ruse, Kina dhe Japonia, diskutuan rreth sfidave që paraqet procesi i integrimit në BE i vendeve të Ballkanit Perëndimor.Pjesëmarrësit sollën në takim eksperiencat e vendeve të tyre dhe folën për vështirësitë me të cilat ndeshen si vendet e rajonit, ashtu edhe Bashkimi Evropian dhe vendet anëtare, duke theksuar nevojën e mbajtjes gjallë të politikës së zgjerimit.