Sot protesta në Shkup, liderët politikë bëjnë thirrje për qetësi

Në Shkup do të mbahen sot protesta të shqiptarëve dhe në anën tjetër edhe të maqedonasve. Shqiptarët do të protestojnë lidhur me vendimin me burg të përjetshëm të gjashtë shqiptarëve për rastin e ashtuquajtur "Monstra", ndërsa maqedonasit do të protestojnë me moton "Maqedonia e maqedonasve" dhe në mbrojtje të vendimeve institucionale.Protestat janë lënë për të filluar gati në të njëjtën orë rreth orës 14.00. Ministria e Brendshme ka shtuar masat e sigurisë në kryeqytet, për të shmangur kontaktin e mundshëm të turmave protestuese. Forca të mëdha policore janë të pranishme në kryeqytet.Protesta që pritet të jetë masive e shqiptarëve me moton 'stop diskriminimit dhe drejtësisë selektive' do të nis nga pjesa e komunës së Çairit, duke vazhduar me marsh protestues.Protesta e shqiptarëve ka marrë mbështetjen e shumë organizatave dhe asociacioneve shqiptare nga vendi, trevat e tjera dhe diaspora.Ndërsa protesta e maqedonasve është thirrur për tu zhvilluar para Qeverisë dhe nuk dihen organizatorët e saj. Lidhur me këto protesta janë bërë apele nga partitë politike, shoqatat dhe bashkësia ndërkombëtare për protesta të qeta dhe për shmangie të dhunës.Protesta të shqiptarëve pritet të mbahen edhe nëpër qytetet e tjera të vendit, pasi që ka pasur disa thirrje përmes rrjeteve sociale. Ndërsa ato do të mbahen edhe në Tiranë dhe Prishtinë.Ministrja e Brendshme në Shkup, Jankullovska kërkoi që protestat e paralajmëruara për sot të jenë të qeta, madje ajo kërcënoi protestuesit se për cdo akt të dhunshëm, do të dënohet nga 3-5 vjet burg.Të njëjtën thirrje bënë edhe liderët e partive shqiptare në Maqedoni, BDI dhe PDSH, ndërsa i kanë kërkuar institucioneve të drejtësisë në Shkup të rishqyrtojnë rastin në fjalë sipas standarteve europiane.Kryeministri Gruevski apeloi gjithashtu për protesta të qeta dhe pa incidente ndërsa rikujtoi se institucionet e shtetit nuk do të tolerojnë përshkallëzim të situatës. Për protestat reagoi një ditë më parë edhe presidenti maqedonas, Gjeorgje Ivanov, I cili përvecsë dënoi dhunën e ditvë të fundit, nuk kurseu as tonet kritike ndaj reagimeve të Tiranës dhe Prishtinës zyrtare.