PDIU: Të miratohet leja për xhaminë. Bashkia: U anullua nga Qeveria
Tiranë- Ndërsa përfaqësuesit më të lartë të shtetit shqiptar shtrojnë iftare në kuadër të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët myslimanë vazhdojnë të falen në rrugë për mungesë ambjentesh.Partia për Drejtësi Integrim dhe Unitet përmes një deklarate për mediat ka sjellë në vëmendje “ngërçin” per ndërtimin e xhamisë së Tiranës.Sipas PDIU-së nëse ka diçka për të cilën qeveria dhe bashkia e Tiranës e drejtuar nga opozita duhet të merren vesh, është miratimi i lejes për ndërtimin e xhamisë së madhe në Tiranë.“Edhe këtë vit, në kuadër të ritualeve të muajit të shenjtë të Ramazanit, besimtarët e kryeqytetit dhe të gjithë Shqipërisë, apo të gjiithë kombit do të falen në rrugë. I vetmi komunitet, komuniteti historikisht më i madhi në Shqipëri nuk ka objekt kulti kryesor në Tiranë dhe kjo nuk mund të vazhdojë më. Kjo situatë duhet të marrë fund dhe Qeveria duhet ta zgjidhë problemin duke miratuar lejen për ndërtimin e xhamisë së madhe. Komuniteti mysliman i Shqipërisë është komuniteti më i pasur në paluajtshmëri, por nuk ka ende një xhami kryesore në kryeqytetin e vendit. Nuk ka rrugë tjetër për të ruajtur autonominë e komuniteteve fetare nga ndërhyrjet e jashtme apo ato politike të brendshme përveç rrugës së kthimit dhe kompensimit të pronave. Ky duhet të jetë prioritet i çdo qeverie, në rrethanat e sotme globale”.PDIU thekson më tej se leja për xhaminë do ishte akti më i mirë përforcues për mesazhet nga Kryeministri dje në iftar, se “Shqipëria ka kryevlerën e vet, bashkëjetesën fetare”.“Mesazhet e kryeministrit në iftarin e shtruar dje me rastin e Ramazanit ishin të drejta, veçaanërisht ato për bashkëjetesën fetare mes shqiptarëve që e duan Europën. Por nuk ka akt më të rëndësishëm mbështetës të këtyre mesazheve sesa miratimi i lejes që besimtarët të kenë një vend ku të falen. Nëse ka ndonjë problem administrativ midis dy autoriteteve, atij qendror dhe atij vendor të udhëhequr nga opozita, leja për ndërtimin e xhamisë është kryerasti që palët politike në Shqipëri të merren vesh me njeri tjetrin. Kryeministri, si ish kryetar i bashkisë së Tiranës ka shansin historik që të kryejë një hap zhbllokues të kësaj situate”.Pas deklaratës, ka ardhur dhe reagimi i Bashkisë së Tiranës ku sqaron se:“Bashkia e Tiranës i bën me dije ndonjë të padituri nga PDIU, se pas dy vite diskutimesh dhe konsultimesh me komunitetin mysliman dhe pronaret e tokës, Bashkia e Tiranës arriti të gjej zgjidhjen për tokën ku do të ndërtohej Xhamia e Madhe. Pas hartimit të projektit nga komuniteti mysliman, u miratu leja e ndërtimit dhe nisën punimet. Nëse keni harruar, po ju kujtojmë se akti i parë i Qeverisë ishte anulimi i lejes së ndërtimit të xhamisë, dhe deri më sot nuk është dëgjuar asnjë fjalë për fatin e saj. Ne, shprehim keqardhjen për heshtjen e Qeverisë ndaj ndërtimit të këtij objekti kulti që i mungon Tiranës, sikundër kërkojmë më shumë përgjegjshmëri ndaj të vërtetave për këtë projekt”.